Politike

Qeveria bën prapakthehu, ndërmarrjet e ujësjellësave do të centralizohen në një shoqëri aksionare

Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve do të grumbullohen në një të vetme, pak vite pasi reforma për decentralizimin e tyre dhe kalimin nën përgjegjësinë e bashkive u ndërmor.

Ricentralizimi i tyre është njoftuar nga Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të programit të BE për sektorin e ujit në zonën e Kamzës. Kryeministri sinjalizoi se unifikimi i 61 ndërmarrjeve që funksionojnë sot në 61 bashkitë e vendit do të ndodhë sipas modelit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me dallim se në superndërmarrjen e re bashkitë do të jenë aksionere.

“Nuk kemi pse kemi këto ndërmarrje ujësjellësi veç e veç. Duhet të kemi aksionerë që funksionojnë së bashku brenda një ndërmarrjeje. Me implementimin e reformës, Ujësjellës-kanalizimet do të funksionojnë si një i vetëm dhe nuk do të ketë me Ujësjellës-kanalizime në Tiranë, Ujësjellës-kanalizime në Kamëz, apo Ujësjellës-Kanalizime në Kavajë. Nuk kemi pse kemi këto ndërmarrje ujësjellësi veç e veç. Duhet të kemi aksionerë që funksionojnë së bashku brenda një ndërmarrjeje. Mund të bashkohen dhe të gjithë së bashku të jenë aksionerë”, tha Kryeministri.

Rama sqaroi se kjo nuk do të thotë se njerëzit e punësuar në këto ndërmarrje do të hidhen në rrugë, por do të shmangen abuzimet me punësimet në këtë sektor, që siç tha është përdorur për punësime nepotike dhe të militantëve partiakë.

“Ndërmarrja e ujësjellësit duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo një kope me thithlopa që fryhen me borxhet në kurriz të qytetarëve. Ujësjellësi ka qenë për të punësuar në shtet militantë, krushq, komshinj pa pasur parasysh se për çfarë janë krijuar dhe duhen këto ndërmarrje”, u shpreh ai.

Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve kanë raportuar prej vitesh humbje të mëdha dhe rritje të borxheve, aq sa kreu i Qeverisë deklaroi këtë të hënë se sasia e tyre tejkalon edhe borxhet e gjetura të OSHEE-së kur nisi reforma në sistemin e energjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë