Politike

Pasi fitojnë gjyqin, të shkarkuarit nga administrata refuzojnë rikthimin, DAP: Faji i ligjit

Të shkarkuarit nga administrata shtetërore, që janë me statusin e nëpunësit civil dhe që më pas fitojnë proceset gjyqësore ndaj institucioneve shtetërore vijojnë të refuzojnë që të të rikthehen në detyrë në pozicione të ngjashme në shërbimin civil.

Kjo do të thotë se rriten kostot për një vend pune të caktuar, ku përveç personit që zëvendëson të shkarkuarin, edhe vetë i shkarkuari paguhet deri në një farë mase dhe periudhe kohore në varësi të vendimit që jep gjykata.

Problematika vërehet në raportin vjetor të Departamentit të Administratës Publike, që është dorëzuar në Kuvend për shqyrtim. Raporti u diskutua këtë të hënë në Komisionin e Ligjeve. DAP identifikon në këtë raport një përcaktim të ligjit “Për nëpunësin civil”.

Në pikën katër të nenit 66/1 të këtij ligji thuhet se institucionet janë të detyruara që në momentin e parë që krijohet një vend i lirë në shërbimin civil të emërojnë me pëlqimin e tyre nëpunësit e regjistruar në listën e atyre që kanë fituar gjyqet për largimin nga administrata.

Sa u takon afrimeve të reja në administratë, DAP thotë në raport se planifikimi për 880 rekrutime u tejkalua për shkak të pandemisë, duke marrë në punë 1237 vetë. Gjithashtu, në 2020-n nga administrata ka pasur rreth 600 largime, nga 900 të tilla përgjatë 2019-s.

Në lidhje me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, Departamenti i Administratës Publike thotë se ka administruar 2400 formularë përgjatë të gjithë vitit, nga ku 20 persona janë skualifikuar për emërime për shkak se binin ndesh me përcaktimet e këtij ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë