Politike

Negociatat, kryediplomatët e BE vendosin sot për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Disa vende nuk duan ndarjen

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të japin këtë të martë vendimin përfundimtar në lidhje me një datë të mundshme për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare me BE nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kryediplomatët e unionit janë mbledhur në Luksemburg prej ditës së hënë ku në qendër të diskutimeve kanë qenë sanksionet ndaj Bjellorusisë dhe tema e zgjerimit dhe veçanërisht negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Të gjitha vendet kanë rënë dakord për hapjen e negociatave për të dyja vendet në bllok, me përjashtim të Bullgarisë që e kundërshton këtë në lidhje me përplasjen që dy vendet kanë për gjuhën dhe kulturën.

Bullgaria kushtëzon votën pro Maqedonisë së Veriut me pretendimin se Shkupi duhet që të njohë faktin se gjuha maqedonase është dialekt perëndimor i bullgarishtes, ndërsa ka përplasja edhe në lidhje me disa figura historike që pretendohen nga të dyja vendet.

Sa i takon Shqipërisë, Bullgaria është gati që të hapë negociatat pa asnjë pengesë. Por, propozimi për të ndarë dy vendet kundërshtohet nga një pjesë tjetër e vendeve të BE-së.

Burime diplomatike kanë pohuar për Radio Europa e Lirë se “disa vende tjera nuk kanë dashur që të nisen negociatat vetëm me Shqipërinë”.

Mundësinë e ndarjes së dy vendeve e përforcoi edhe Presidenti slloven, Borut Pahor, vendi i të cilit merr Presidencën e BE-së më 1 korrik. Pahor tha se Shqipëria ka më shumë gjasa që të marrë dritën jeshile për negociatat, ndërsa në lidhje me Maqedoninë e Veriut deklaroi se ka një pengesë të fortë nga ana e Bullgarisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë