Politike

Pak entuziazëm për negociatat, Shqipëria viktimë e vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut

Atmosfera e zymtë në Tiranë në lidhje me vendimmarrjen për negociatat në Bruksel sugjeron se edhe këtë herë ato do të shtyhen për në vjeshtë dhe këtë radhë Shqipëria do të jetë viktimë e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

Pritshmëritë për një vendim pozitiv janë të ulta dhe ato i theksoi edhe Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës së fundit dhënë për televizionin “France 24”.

“Unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë. Normalisht duhet ta marrim dritën jeshile, por duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse ne dhe Maqedonia e Veriut e presim së bashku këtë vendim dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet përpara samitit”, deklaroi Rama.

Në Tiranë, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca theksoi se për herë të parë të gjitha vendet e Bashkimit Europian janë pro mbajtjes së konferencës ndërqeveritare me Shqipërinë. Problemi është se një pjesë e këtyre vendeve këmbëngulin që kjo hapje të bëhet në bllok bashkë me Maqedoninë e Veriut.

Komisioneri i Zgjerimit nga ana tjetër, përveç deklaratave e postimeve të disa ditëve më parë ku bën thirrje që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet me të dyja vendet e ka anashkaluar ditët e fundit këtë temë, duke e përqëndruar aktivitetin e tij në rrjetet sociale nga Bjellorusia deri te Iraku dhe Amerika Latine.

Radio Europa e Lirë, duke cituar burime diplomatike nga mbledhja e së hënës e ministrave të Jashtëm të unionit në Luksemburg tha se Bullgaria ishte e gatshme që të jepte votën pro hapjes së negociatave vetëm për Shqipërinë, duke bllokuar Maqedoninë e Veriut për çështjen e gjuhës dhe përplasjen për përkatësinë etnike të disa figura historike që ka mes dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë