Bota

Iran, Raisi sfidon Bidenin: Nuk do ta takoj, të heqë sanksionet ndaj nesh

Irani, i cili zgjodhi Ebrahim Raisin si president, nuk e shikon veten të gjunjëzuar nga sanksionet amerikane. Kreu i ri i vendit, është krenar, këmbëngulës, i gatshëm të heqë dorë nga fitoret e tij në fushë dhe me të vërtetë, i etur për të hequr disa guralecë nga këpucët e tij.

Epoka e presidencës Raisi, mullahu që u kthye në gjyqtar, gjykatësi që u kthye në president, presidenti që mund të bëhet Lideri Suprem, fillon me një përplasje të derës në fytyrë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nëse do të shërbente për të favorizuar Amerikën të kthehej në marrëveshjet bërthamore të vitit 2015, a do ta takonte ai Bidenin?

Raisi do ta marrë detyrën e tij në 3 gusht, por në konferencën e parë për shtyp si president i zgjedhur, nuk ka dyshime, përgjigja është: “Jo”.

“Ishin SHBA-të që shkelën marrëveshjet e nënshkruara lirshëm në vitin 2015. Dhe kur e bënë, evropianët nuk ishin në gjendje ta kundërshtonin atë. Kërkesat tona në negociatat e vazhdueshme në Vjenë, janë që Uashingtoni të respektojë nënshkrimin e saj, të sillet seriozisht dhe të heqë sanksionet. Ekipi im tashmë po merr raporte nga negociatorët në Vjenë dhe linja iraniane nuk do të ndryshojë. Ne i kemi qëndruar besnikë asaj që u nënshkrua. Pse SHBA-të i kanë tradhtuar angazhimet e saj? Pse u tërhoqën evropianët? Populli fisnik iranian po pret përgjigjet. Kjo është ajo që ne mendojmë për Teheranin, me qeverinë aktuale dhe me atë që do të drejtoj unë së shpejti”.

SHBA-të do të dëshironin gjithashtu të përfshinin çështje të tjera në marrëveshjen e re, nga raketat te milicitë rajonale, që kanë zgjeruar sferën iraniane të ndikimit.

Por edhe mbi këtë, Raisi është kategorik. “Programet tona raketore nuk janë të diskutueshme. Pse të futen  në një marrëveshje që SHBA-të e kanë shkelur? Ne jemi pro një energjie bërthamore paqësore që ndihmon shkencën në mjekësi dhe industri. Auditimet ndërkombëtare gjithmonë kanë treguar besnikërinë tonë ndaj pakteve për sa kohë që ato respektohen nga të gjithë”.

Ka shumë dosje të luftës të hapura në tryezën iraniane. Raisi ka prekur vetëm tre. Izraeli: “Regjimi sionist shkel të drejtat e palestinezëve dhe ne gjithmonë do të jemi me të shtypurit”

Jemeni: “Sauditët dhe të tjerët duhet të ndalojnë gëlltitjen e njëri-tjetrit dhe t’ia lënë zgjidhjen popullit jemenit”.

Arabia Saudite, me të cilën Irani ka rihapur kontaktet informale pas 5 vjetësh acar: “Prioriteti ynë është të krijojmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë. Hapja e ambasadave përkatëse nuk është problem”. Konceptet janë të Liderit Suprem, Ali Khamenei dhe Raisi parashikohet të jetë pasardhësi i mundshëm i tij.

Një e dhënë për këtë hipotezë, erdhi kur për herë të parë, në një rast zyrtar, atij iu dha titulli ajatollah. Njohja e gradës më të lartë në hierarkinë Shiite, është thelbësore për të aspiruar vendin e Udhëheqësit Suprem.

Presidenti Ajatollah, Raisi, mërzitet vetëm kur një gazetar i kujton shumë dënime me vdekje të vendosura në kohën kur ishte gjykatës, që detyruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta sanksiononin atë dy vjet më parë.

“Unë jam një mbrojtës i të drejtave të njeriut, – thotë ai, – dhe i sigurisë së njerëzve. Ishte një privilegj për mua të kem punuar si magjistrat. Ata që më akuzojnë, duhet të merren më mirë me ata që krijuan ISIS-in, Shtetin Islamik. Janë terroristë që ndodhen në vendet ngjitur me Iranin, për të na dobësuar dhe më pas të nxjerrë në terren për të na vrarë nëpër botë. Nuk ka paqe pa drejtësi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë