Politike

Nuk ka datë për negociatat, Shqipëria viktimë e Bullgarisë

Bullgaria ka mbajtur peng sot jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe Shqipërinë, duke mos ‘lëshuar pe” në këmbënguljen për të bllokuar fillimin e negociatave me Shkupin. Debati për zgjerimin në takimin e ministrave në Luksemburg ka qenë intensiv dhe Sofjes i është thënë se kritikat për këtë bllokim janë të shumta, por kjo nuk ka bërë që ajo të ndryshojë qendrim.

Në konferencën e Parë për Shtyp pas mbledhjes së mbajtur ditën e sotme të Këshillit të Ministrave për Çështjet e Përgjithshme ministrja e Jashtme e Portugalisë, e cila mban edhe presidencën e BE- së deri më 1 Korrik Ana Paula Zacarias, tha se ishte e pamudndur që të arrihej dakordësia për mbajtjen e Konferencës së Parën Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa shtoi se shpreson se kjo të arrihet të përcaktohet gjatë presidencës sllovene që nis më 1 korrik deri në fund të vitit 2021.

“Ne e nisëm ditën me bisedimet për zgjerimin. Fatkeqësisht, pavarësisht të gjitha përpjekjeve tona, ishte e pamundur që të arrijmë një dakordësi për mbajtjen e kornizën e negociatave dhe mbajtjen e Konferencës së Parën Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne shpresojmë se presidenca sllovene do të mund të arrijnë në përcaktimin e datës. Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një pjesë jetike e Bashkimit Europian”, tha Zacarias

Të gjitha vendet ishin pro hapjes së negociatave për Shqipërinë, madje dhe Holanda që ishte më skeptikja dha ‘ok’ për mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare, por tashmë edhe në muajt në vijim fati i integrimit europian të vendit tonë do i mbetet dialogut Bullgari-Maqedoni e Veriut, vetëm në rast se Presidenca sllovene e BE vendos të ndajë rrugën e dy vendeve.

Mediat në Maqedoninë e Veriut bëjnë të ditur se Bullgaria nuk ka lejuar Këshillin për Punë të Përgjithshme, për të caktuar një datë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.

Përfaqësuesi bullgar në takim, sipas MIA-s, ka thënë se “BE nuk e kupton sa i thellë është problem midis Shkupit dhe Sofjes”, se “kjo mosmarrëveshje është një çështje evropiane” dhe se “Bullgaria është në një situatë specifike për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në korrik”. Sidoqoftë diplomatët evropianë ankohen se Bullgaria nuk mund të japë ndonjë garanci se do të zhbllokojë veton me një qeveri politike.

Vendet anëtare që mbështesin zgjerimin, edhe para takimit, janë deklaruar “pro” fillimit të negociatave duke ftuar BE-në të mos i marrë parasysh kontestet bilaterale. Gjermania mendon se BE-ja duhet patjetër të bëjë diçka në këtë drejtim.

Aktivitetet e shtuar diplomatike të ndërrmara nga Brukseli dhe Shkupi sollën një shpresë se dallimet mes dy vendeve mund të sheshohen e që kjo mund ta bind Bullgarinë që ta heq veton që ka vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut, me të cilën kjo e fundit do të mund që të merrte dritë jeshile për fillimin e negociatave.

“Shqipëria është vetëm një viktimë e kësaj përplasje, pasi ajo ka plotësuar të gjitha kriteret dhe nuk ka asnjë kontest apo kundërshtim të një vendi anëtarë. “Faji” i saj i vetëm është se ka qëlluar në kohën dhe vendin e gabuar e që kjo po e penalizon, pasi BE-ja synon që këto dy vende ti fusë në një pakete, ku në qoftë se njëra palë bllokohet automatikisht kjo vlen edhe për palën tjetër”, shkruan agjencia

Nëse “JO”-ja e Bullgarisë përsëritet, kjo do të shkaktonte pasoja të mëdha politike brenda vendit, ku do të çonte në paqëndrueshmëri politike e që mund të rezultojë me rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja të parakohshme, të cilat edhe më shumë mund ta komplikonin gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për kontestin që po na mban të bllokuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë