Kryeministrja serbe Ana Brnabiç ka kritikuar vendimin e djeshëm të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare në BE për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut.
Brnabiç është shprehur se me bllokimin e negociatave Bullgaria ka ndërmarrë një precedent të rrezikshëm pasi sipas saj çështjet dypalëshe nuk kanë asnjë lidhje me integrimin europian, po shfrytëzohen për të vendosur veto për integrimin.
Sipas saj ky është precedent i rrezikshëm dhe në të ardhmen mund të përdoret nga vende tjera të BE-së, por shtoi se ky është problem i BE-së dhe jo i vendeve kandidatë.
“Çdo gjë mund të jetë faktor kufizues për bllokadë. Kemi parë precedentë se disa çështje bilaterale që nuk kanë asnjë lidhje me integrimet europiane të një vendi, vendosen si mur i rrugës së integrimeve europiane të një vendi tjetër fqinj. Mendoj se është precedent i rrezikshëm, që për fat të keq, mund të përdoret edhe nga vende tjera anëtare të BE-së. Mendoj se nuk është vlerë europiane”, tha kryeministrja. Unë si një evropiane e shqetësuar, besoj në vlerat evropiane dhe në rrugën tonë evropiane, dhe pavarësisht nëse kapitujt janë hapur apo mbyllur, nëse ka sinjale pozitive, ne do të vazhdojmë me reformat. Tani, nëse BE dëshiron të bëhet një familje ku disa shtete anëtare do të kushtëzojnë disa vende të tjera, edhe pse ata kanë bërë gjithçka, duke zgjidhur disa çështje bilaterale ose probleme pothuajse bilaterale, atëherë ky është problemi i BE-së, dhe kjo është punë me të cilën as nuk mundem dhe as nuk dua të merrem”, tha Brnabiç.
Po ashtu, shumë vende anëtare po këmbëngulin që problemet bilateral të mos bëhen pengesë në procesin e integrimit. Mosmarrëveshjet mes Sofies dhe Shkupit lidhen me historinë dhe gjuhën. Bullgaria kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakice maqedonase në Bullgari. Po ashtu kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, që thotë se rrjedh nga bullgarishtja.
Duke qenë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë trajtuar së bashku në këtë proces, shtetet anëtare nuk kanë preferuar që t’i ndajnë ato nga njëra tjetra në këtë fazë.
Problemet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut u bënë sërish pengesë për një vendimarrje në favor të organizimit të Konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nga njëra anë dhe Bashkimit europian nga ana tjetër, që do të shënonte dhe nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim për të dy vendet ballkanike.
Për Shqipërinë, ka një konsensus të pranuar nga të gjithë shtetet, për t’i ndezur dritën jeshile përparimit të mëtejshëm të vendit në rrugën e integrimit. Së fundmi dhe Hollanda një ndër vendet më skeptike, ra dakort me vlerësimin e Komisionit europian për ecurinë pozitive të Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje