Sport

S’ka përqafime, duartrokitje dhe autografë, rregullat e Olimpiadës pa festë

Një muaj para startit, komiteti organizator i Tokios ka publikuar rregullat dhe normat e rrepta anti-Covid për publikun. Janë të ndaluara shumë gjëra: festat, flamujt në tribuna dhe përdorimi i alkolit.

Në Lojërat Olimpike të Tokios nuk lejohen përqafimet, nuk lejohen duartrokitjet dhe nuk lejohen as auografët. Spektatorët që do të shohin nga afër Olimpiadën duhet të respektojnë disa rregulla shumë të forta, që tashmë janë bërë të ditura nga organizatorët. Presidentja e komitetit, Seiko Hashimoto, ka shpjeguar se festimet duhen ndaluar për të zvogëluar rrezikun e infektimit nga Covid-i. Ajo ka shtuar se pjesëmarrësit duhet të jenë kreativë për të pasur atmosferë feste.

Seiko Hashimoto, presidente e komitetit organizator të Lojërave Olimpike. Gazeta Si, 23 qershor 2021

Vetëm dy ditë më parë u dha miratimi për praninë e 10000 spektatorëve në këtë kompeticion, por organizatorët kanë paralajmëruar se në Tokio nuk do të jetë një atmosferë feste si në Euro 2020. “Në Europë vendet janë plot me festa, – ka thënë Hashimoto. – Për fat të keq, nuk jemi në gjendje të bëjmë të njëjtën gjë”. Spektatorët duhet t’u nënshtrohen kontrolleve, matjes së temperaturës dhe mbajtjes së maskës brenda ambienteve të Lojërave.

Do të jetë e ndaluar për të bërë tifo, apo për të pasur kontakt direkt me spektatorë të tjerë. Është e ndaluar të kërkohen autografë nga sportistët dhe mbështetja verbale e tyre në gara, valvitja e flamujve dhe çdo lloj duartrokitjeje që mund të krijojë një turmë.

“Atmosfera e festës duhet të evitohet, kjo është një sfidë e madhe, – ka shtuar Hashimoto. – Personat mund ta ndjejnë gëzimin në zemrat e tyre, nuk mund të jenë të zhurmshëm dhe duhet të evitojnë grumbullimet”. Spektatorët olimpikë duhet të bëjnë edhe pa alkol, edhe pse në evente të tjera sportive në Japoni është e lejueshme aktualisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë