Për të mësuar nëse zgjedhjet e vendore të 30 qershorit 2019-të ishin apo jo të ligjshme, qytetarët shqiptarë duhet të presin edhe të paktën disa muaj.
Pas dy seancave maratonë, e fundit prej të cilave këtë të mërkurë, Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendimin që dosjen ta çojë për një mendim më të specializuar në Komisionin e Venecias, procedurë kjo që mund të kërkojë kohë, që mund të shkojë deri në fund të këtij viti.
Gjatë seancës së kësaj të mërkure, Gjykata Kushtetuese e rinis shqyrtimin e dosjes debatin për të lejuar apo jo në sallë në cilësinë e vëzhguesit përfaqësuesin e Partisë Demokratike, Ivi Kaso. Në fund u vendos për po.
Padia për zgjedhjet është dorëzuar në Kushtetuese në gusht të 2019-ës nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, për drejtimin e së cilës ka nisur një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën Administrative të Tiranës mes Voltana Ademit dhe Pjerin Ndreut.
Në këtë seancë, Shoqata e Autonomisë Vendore, që drejtohet nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kërkoi që të ishte palë në proces. Kërkesa u kundërshtua nga Presidenca dhe nga vetë përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Qeveria nga ana tjetër i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që Shoqata e Bashkive të mos përfaqësohej nga Voltana Ademi dhe çështja të pezullohej nga ana e Kushtetueses deri kur Gjykata Administrative të Tiranës të shprehej se kush ishin organet e legjitimuara drejtuese të shoqatës që ka dorëzuar këtë padi.
Por, Kushtetuesja hodhi poshtë kërkesën e dytë të Qeverisë për pezullim të procesit, ndërsa në lidhje me statusin e Voltana Ademit tha se për këtë do të shprehej në fund të vendimit.
Voltana Ademi është pesimiste dhe thotë se Gjykata Kushtetuese do të vendosë një precedent për të mos u përsëritur më në vend zgjedhje si ato të 30 qershorit të 2019.
Postimi i plotë i Voltana Ademit
Në Gjykatën Kushtetuese sapo ka përfunduar seanca plenare për shqyrtimin e kerkesës së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë lidhur me “zgjedhjet” e 30 qershor 2019.
Së pari, dua të falenderoj të gjitha mediat që më kanë ndjekur në këtë betejë për demokracinë dhe pluralizmin vendor.
Së dyti, falenderimi shkon për trupën e Gjykatës Kushtetuese, për kohën dhe përkushtimin e tyre në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe të drejtave të njeriut.
Ky proces ka rëndësi madhore për themelet e demokracisë dhe pluralizmit dhe shpresojmë që gjykata të kontribuojë, përmes shqyrtimit të kërkesës sonë, në rregullimin e këtyre themeleve që janë tronditur nga “zgjedhjet” e 30 qershorit dhe mos të përsëriten më të tilla raste.
Jemi krenarë nga ana tjetër, pasi është një arritje me vete që ky proces u konceptua dhe u nis nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, si pjesë e shoqërisë civile që ndërhyn për të bllokuar veprime arbitrare të politikës.
Kam bindjen që pluralizmin nuk do ta asgjësojë asnjë autokraci dhe se Gjykata Kushtetuese do të vendosë kthimin në jetë të pluralizmit politik në nivel vendor dhe për rrjedhojë edhe të demokracisë vendore.
Kam bindje që GJK do të japë drejtësi për të drejtat e qytetarëve, drejtësi kushtetuese, drejtësi për pluralizëm, drejtësi për shtet dhe pushtet pluralist, drejtësi për çdo institucion aktor dhe faktor që kanë detyrim të zbatojnë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje