Ne rrjet

Maqedonia e Veriut: Nëse nuk hapen negociatat me BE, do të kërkojmë alternativa të tjera

Maqedonia e Veriut nuk e ka fshehur zhgënjimin që Bashkimi Evropian ka shtyrë fillimin e negociatave për shkak të vetos bullgare. Kryeministri Zoran Zaev kritikoi ashpër unionin duke thënë se ideja e madhe, vizionare e një Europe të bashkuar ka një problem sot dhe se rajonit mund t’i duhet të fillojë të kërkojë për alternativa.

Zaev vlerësoi se vendimi i BE për të mos e caktuar konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një zhgënjim i madh, por gjithashtu një dështim i madh i politikës së BE-së për zgjerimin dhe një mesazh i keq për të gjithë rajonin.

“Brukseli na ka thënë se BE nuk ka arritur të gjejë një mënyrë për të siguruar integrimin e merituar të Ballkanit Perëndimor. Ky është problemi. Fakti që 26 shtete anëtare të BE-së nuk arrijnë të parandalojnë bllokimin e një shteti anëtar është një problem i Evropës i shkaktuar nga vetë BE-ja”, tha kryeministri

Ai u dërgoi mesazh qytetarëve dhe politikanëve vendas dhe europianë, se “alarmi është i ndezur, janë vënë në pikëpyetje thelbi dhe vlerat e BE-së “.

“Vlerat evropiane janë të përbashkëta për vendet e BE-së, por edhe për vendet kandidate që i pranojnë dhe i zhvillojnë ato. Dhe sot këto vlera janë afirmuar nga Ballkani Perëndimor, përfshirja, mobiliteti, toleranca, drejtësia, solidariteti. Të gjithë në BE që i kanë pranuar dhe promovuar këto vlera si një pjesë integrale e mënyrës evropiane të jetës duhet të dinë se askush dhe asnjë akt nuk duhet të vërë në dyshim dinjitetin njerëzor, barazinë dhe solidaritetin, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut”, tha Zaev.

Kryeministri maqedonas kujtoi se javën e kaluar ishte në Sofje me një delegacion qeveritar, duke kërkuar me zemër të hapur një zgjidhje. Paraprakisht, në Sofje ishte edhe kryeministri Rama.

“Vota e Bullgarisë për të mos e miratuar kornizën negociuese, megjithë qëndrimin unanim të të gjitha 26 vendeve të tjera anëtare, nuk është në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë,” tha Zaev.

Ai vuri në dukje se Maqedonia e Veriut u bë anëtari i 30-të i plotë i NATO-s, u ul në tryezë me vendet më të fuqishme të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe në Aleancë është partnere me Shqipërinë, por gjithashtu edhe me Bullgarinë dhe Greqinë dhe vendet e tjera anëtare.

Presidenti Stevo Pendarovski ka qënë edhe më i ashpër, duke thënë se ka ardhur koha që Maqedonia e Veriut të gjejë alternativa të tjera. “Nëse nuk mund të behëmi pjesë e BE, atëhere duhet të kërkojmë alternativa. “Ne nuk mund të mbesim të izoluar”, tha presidenti pas shtyrjes së negociatave.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov në panelin e Forumit të parë ekonomik të Shkupit tha se me të vërtetë është me rëndësi të shohim realizim të premtimit për europerspektivat e rajonit të dhëna në Selanik.

“Premtimi që Evropa ia dha Ballkanit ndodhi në Selanik në vitin 2003, u konfirmua në Sofje në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe këtë vit në Lubjanë. Si zëvendëskryeministër bëhet gjithnjë e më vështirë t’u flas njerëzve, qytetarëve se kjo është e mundur. Ky rajon është i rrethuar me vende të cilat ekonomikisht, politikisht, historikisht dhe në mënyrë kulturore i takojnë Evropës dhe me të vërtetë është me rëndësi të shohim vendime dhe lëvizje konkrete në mbështetje të realizimit të premtimit të dhënë në Selanik”. tha Dimitrov.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë