Ja ku vjen edhe vendimi zyrtar: nga sezoni 2021/2022 nuk ka më vlerën e mëparshme rregulli i golit në transfertë në të gjitha kompeticionet e UEFA-s për klube. Nëse dy skuadra janë me të njëjtin numër golash të shënuar dhe të pësuar në një sfidë vajtje-ardhje, nuk kalon më turin ajo që ka shënuar më shumë në fushën kundërshtare. Gjithçka vendoset nga koha shtesë dhe nëse sërish ka barazim, nga penalltitë.
Rregulli që ishte në fuqi që prej vitit 1965, ishte konsideruar i padrejtë nga shumë persona, përfshirë edhe presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili e ka pritur me gëzim vendimin: “Shumë trajnerë, tifozë dhe protagonist të tjerë të botës së futbollit e kanë vënë në dyshim vlerën e këtij rregulli dhe kanë shprehur preferencën e tyre për zhvlerësimin e tij.

Impakti i rregullit së fundi ka shkuar kundër objektivit parësor, i pengon skuadrat vendëse të sulmojnë, sepse kanë frikë se pësojnë gol dhe i japin kundërshtarit një avantazh të madh. Kritikat e tjera lidheshin me faktin se në rast se ndeshja shkon në shtesë, skuadra që luan në fushën e saj është e detyruar të shënojë dy herë, nëse realizojnë miqtë. Avantazhi i të luajturit në shtëpi në kohët e sotme nuk është më aq domethënës si më parë”, – ka thënë Ceferin.
Golat në transfertë nuk do të kenë më peshë shtesë për të vendosur fatin e një sfide prej 180 minutash. Këta gola do të hiqen edhe nga kriteret e përdorura për të përcaktuar klasifikimin, kur dy apo më shumë skuadra janë me pikë të barabarta në fazën me grupe. Diferencën do ta bëjë vetëm diferenca e golave në ndeshjet direkt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje