Bota

Foto/ Skandal “rozë” në Britani, ministri kapet duke u puthur me konsulenten e tij

Ministri Britanik i Shëndetësisë u kap në flagrancë me të dashurën e tij. Mëngjesin e të premtes, gazeta “The Sun” ka publikuar fotot e Matt Hancock, njeriut që menaxhoi pandeminë në Britani, duke kapur dhe puthur konsulenten e tij më të afërt, për më tepër në zyrat e ministrisë.

Ministri 42-vjeçar është i martuar, ashtu si këshilltarja e tij, lobistja milionere 43-vjeçare, Gina Coladangelo.

Në fakt, shtypi e ka cilësuar si një skandal, që sipas të gjitha gjasave do t’i kushtojë Hancock postin e tij, por që rrezikon destabilizimin e të gjithë qeverisë së Boris Johnson.

Imazhet janë të pagabueshme dhe janë marrë nga kamerat CCTV, ku duket ministri në zyrën e tij, duke kontrolluar korridorin jashtë, përpara se të mbyllë derën, pas së cilës mbërrin Gina dhe të dy nisin një përqafim pasionant.

Sipas “The Sun”, marrëdhënia midis të dyve ishte e njohur për të gjithë në ministri dhe u komentua gjithashtu në bisedat në Whatsapp.

Gina Coladangelo është nënë e tre fëmijëve dhe është drejtoresha e komunikimit e “Oliver Bonas”, markës së modës themeluar nga bashkëshorti i saj, Oliver Tress, si dhe një drejtor i agjencisë lobuese, Luther Pendragon.

Hancock, i cili e njeh atë që nga universiteti në Oksford, së fundmi e emëroi si këshilltare në Departamentin e Shëndetësisë. Por ka shumë gabime që i atribuohen Hancock për menaxhimin e fazave të hershme të pandemisë.

Nga vendimi për transferimin e të moshuarve nga spitalet në azilet e të moshuarve, te kaosi i sistemit të gjurmimit të Covid 19, e deri te shpenzimet financiare në sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për personelin e kujdesit shëndetësor.

Sidoqoftë, Boris Johnson e ka mbrojtur gjithmonë atë, edhe pse ish-super këshilltari, Dominic Cummings zbuloi se kryeministri privatisht e quante ministrin “të ndyrë” (dhe madje mbretëresha e quajti Hancock ‘i shkreti burrë’).

Mbetet të shihet se kush është “dora e vogël” që dërgoi imazhet e bujshme në të përditshmen britanike, por fakti është se në kohët e fundit, Cummings, ish “Rasputin” i dëbuar nga “Downing Street” dhe i cili është betuar për hakmarrje, ka vënë në shënjestër Hancock me të gjitha mënyrat.

Dhe ka nga ata që besojnë se zjarri mbi Ministrin e Shëndetësisë, është vetëm një manovër për të destabilizuar të gjithë qeverinë dhe për të synuar vetë Borisin. Ai që në pamje të parë duket si një skandal “rozë”, në të vërtetë hap një lojë shumë delikate në Londër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë