Politike

Meta, Basha e Ademi fajësojnë Qeverinë: Rendi ka dalë jashtë kontrollit

Presidenti Ilir Meta thotë se situata e rendit publik në vend është e dëmtuar seriozisht dhe kërkohen masa të reja efektive për mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve.

“Prej kohësh i kam bërë thirrje, në mënyrë të vazhduar, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte, me qëllim parandalimin në kohë të këtyre veprave të rënda penale”, shkruan Presidenti.

Meta thotë se këto ngjarje kanë dy pasoja të mëdha për vendit.

“Konfliktet me armë zjarri, që konsumohen në ambiente publike dhe në kulmin e sezonit turistik, vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e dhjetëra qytetarëve, por nga ana tjetër dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë tek turistët vendas dhe të huaj. Plazhet dhe qendrat e qyteteve tona nuk e meritojnë t’i ngjajnë shesh-betejave të “Wild West””, shkruan Presidenti.

Kreu i PD, Lulzim Basha i cilëson këto ngjarje si pasojë e shndërrimit të policisë së shtetit, sipas tij, në vegël të regjimit për të mbrojtur lidhjet e pushtetit me krimin.

“Kur përgjigja e vetme sa herë përgjaken qytetet tona është “hëngshin kokat e tyre”, jeta e qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve shqiptare është në rrezik”, shkruan kreu i PD.

Basha komenton edhe postimin e Kryeministrit, që e nisi ditën me pamje nga plazhi i Velipojës duke u uruar mirëmëngjes qytetarëve. Fotoja më pas u fshi.

“Me postimin cinik si i sotmi pas masakrës së Velipojës, përgjegjësi për këtë situatë nuk e fsheh dot përgjegjësinë e tij, por vetëm rikonfirmon gjunjëzimin e shtetit para krimit të bërë njësh me pushtetin e tij të korruptuar deri ne palcë”, thotë kreu i PD.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi thotë se ngjarja mund të ishte parandaluar nëse shteti do të kishte funksionuar në kohë.

“Konflikti i armatosur në mes të Velipojës, një zonë turistike dhe në mes të sezonit, mund dhe duhej të ishte parandaluar, nëse policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese do të ishin të pranishme në territor, në zbatim të Akteve Normative për orën policore për pandeminë, nëse do të kishin vepruar përpara sapo janë njoftuar gjatë ditëve të fundit për konflikt të mundshëm”, shkruan ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë