Politike

Soreca kërkoi mbrojtje nga Garda, e zbulon ministri Çuçi

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë mund të jetë ndjerë i kërcënuar, ose ka marrë kërcënime, që e kanë detyruar që të kërkojë mbrojtjen e Gardës së Republikës, atë personale dhe të banesës ku jeton në Shqipëri.

Informacionin se mbrojtja ndaj Sorecës është dhënë me kërkesë të këtij të fundit e dha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Ai doli në një konferencë për shtyp për të folur pas dy ngjarjeve të rënda të ndodhura në rrugën Fier-Vlorë dhe në plazhin e Velipojës, ku 8 persona humbën jetën dhe 5 të tjerë u plagosën.

“Qeveria ka të drejtën të caktojë mbrojtje të posaçme edhe për personalitete të tjera. Në rastin konkret ka qenë një kërkesë e ambasadorit Soreca dhe ne vendosëm rritjen e nivelit të sigurisë për të”, tha Çuçi.

Ministri i Brendshëm iu shmang pyetjes nëse Ambasadori kishte marrë kërcënime apo jo. “Pse ka ndodhur kjo mund të pyesni Ambasadorin Soreca pse ka pasur nevojë të rrisë mbrojtjen e tij”, vijoi ai.

Javën e kaluar, një vendim i Qeverisë e ngarkonte Gardën e Republikës me garantimin e sigurisë personale dhe të banesës së Ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

Vendimi nuk u shoqëruar me asnjë sqarim nëse mbrojtja ishte kërkuar nga vetë Ambasadori Soreca, apo ishte një vendim i njëanshëm i autoriteteve shqiptare.

Zyra e Bashkimit Europian deklaroi pas publikimit të këtij vendimi duke thënë shkurtimisht se “nuk komentonte mbi vendimet ekskluzive të autoriteteve shqiptare mbi këto çështje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë