Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u ka bërë thirrje sot të gjitha vendeve europiane të riatdhesojnë të gjithë luftëtarët e ISIS të strehuar në kampin Al Hol në Siri. Amerika dhe Europa janë përplasur për fatin e mijëra xhihadistëve të burgosur në Siri, pasi vendet europiane, si dhe ato të Ballkanit, nuk pranojnë kthimin e tyre në shtëpi.
Blinken tha se ndalimi i rreth 10,000 luftëtarëve të Shtetit Islamik (IS) në kampet në Siri, ka çuar në një “situatë të paqëndrueshme. Luftëtarët e grupit ekstremist janë internuar në kampe që udhëheqin forcat kurde, me mbështetjen e SHBA-së, që kur Shteti Islamik është shpallur i mposhtur, në vitin 2017.
Duke folur në një takim në Romë për luftën kundër Shtetit Islamik, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’u bëjnë thirrje vendeve që t’i riatdhesojnë, rehabilitojnë dhe ndjekin penalisht shtetasit e tyre, që i janë bashkuar grupit.
“Kjo situatë është e pajustifikueshme. Nuk mund të zgjasë gjithmonë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i nxisin vendet e origjinës, përfshirë partnerët e koalicionit, që t’i riatdhesojnë, rehabilitojnë dhe, ku është e mundur, ndjekin penalisht qytetarët e tyre”, tha Blinken.
Ky presion ka të ngjarë të prekë edhe vendet e Ballkanit dhe Shqipërinë, pasi gati 150 shqiptarë lanë vite më parë shtëpitë e tyre për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.
Një raporti i përgatitur në vitin 2018 nga agjencitë europiane të sigurisë ka bërë të ditur se 26 luftëtarë meshkuj dyshohet se humbën jetën në Siri dhe Irak
Sipas të dhënave 144 persona nga Shqipëria iu bashkuan ISIS ndër ta 80 meshkuj, 27 femra dhe 38 fëmijë. Në bazë të informacioneve të agjencive të sigurisë dyshohet se në zonat e konfliktit ndodhen ende 73 shqiptarë. Ata janë tanimë të strehuar nëpër disa kampe në Siri,Iral dhe Turqi. 45 persona nga 144 që kanë qëndruar në zonat e konfliktit janë kthyer në Shqipëri. 30 prej tyre janë burra, 7 gra dhe 8 fëmijë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje