Kërkesa e pesë partive aleate të Partisë Demokratike për të shfuqizuar ndryshime të Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit të vitit të kaluar për mënyrën se si ndahen fondet për partitë e vogla është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Partia Agrare Ambientaliste e Agron Dukës, Partia Republikane e Fatmir Mediut, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit, Partia Bashkimit për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës kërkuan shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të fjalisë së dytë të paragrafit të tretë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor që përcakton se “për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre”.
Sipas këtij neni çdo parti merr aq para nga shteti sa vota ka marrë; ndërsa partitë e vogla që kanë garuar me koalicion iu llogaritet vetëm mesatarja e votave për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre.
Si shembull, nëse Partia Agrare ka fituar një deputet; kur te ndahet fondi i buxhetit të shtetit ajo merr mbështetje financiare vetëm për 10 mijë vota, pavarësisht se kandidatët e saj ne listat jo fituese mund të kenë marrë me mijëra vota të tjera.
Këto parashikime u futën në Kodin Zgjedhor nga marrëveshja e 5 qershorit të vitit të kaluar mes PS, PD dhe LSI. Padia e partive të mësipërme u dorëzua në Kushtetuese vetëm dy javë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje. Partitë e mësipërme e paditën këtë parashikim me argumentin se ai cenonte parimin e barazisë së votës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje