Partia Demokratike thotë se Qeveria ka shpërblyer me tendera autorët e blerjes së votave, ndërsa operacionin e nisur nga Policia e Shtetit për lirimin e plazheve publike nga zaptuesit pa leje e cilëson aksion propagandistik.
“Velipoja është një nga skenat e krimit zgjedhor, sepse aty prej vitesh vepron trafikanti i drogës Pëllumb Gjoka, një nga ushtarët më të rrezikshëm të regjimit Rama-Doshi, që në çdo palë zgjedhje zbret në fushë për të blerë vota, për të shantazhuar qytetarët dhe në këmbim fiton pandëshkueshmërinë, lirinë për të pastruar paratë e pista dhe akses në tenderat publik”, deklaroi deputeti i zgjedhur i PD, Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj tha se fill pas zgjedhjeve të 25 prillit, ky shtetas ka fituar një tender nga Bashkia e Tiranës.
“Si shpërblim për shërbimet e tij ndaj Ramës, trafikanti Pëllumb Gjoka, përfiton pa garë nga Bashkia Tiranë tenderin me objekt “Shërbim mirëmbajtje dhe furnizim me solucion për tunelet e dezinfektimit”, me vlerë kontrate 204 mijë euro, 95 për qind e fondit limit”, deklaroi ai.
Sipas PD, ky nuk është tenderi i vetëm dhe se Pëllumb Gjoka ka përfituar edhe tendera të tjerë, madje në periudhë zgjedhore edhe leje për ndërtimin e një kompleksi turistik në Velipojë.
“Shpërblimet nuk kanë munguar edhe përpara masakrës zgjedhore, pasi nga shtatori 2020 ka përfituar nga e njëjta bashki 5 tendera me vlerë 1.8 milionë euro si dhe në janar 2021 periudhë zgjedhore ka përfituar nga KKT me firmën e Edi Ramës “Leje për ndërtimin e objektit: “Kompleks turistik “Silver Sand Resort”, me vendndodhje në zonën Pulaj-Plazh, Velipojë”, denoncoi Alibeaj.
PD ka kallëzuar për blerje votash në SPAK këtë shtetas, ndërsa i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme që të mos vonojë hetimet.
“Ndëshkimi i modelit të ndërtuar nga regjimi Rama-Doshi dhe ndarja e politikës nga krimi është e vetmja rrugë për të pasur rend dhe siguri, është e vetmja rrugë që Shqipëria t’u kthehet sa më parë shqiptarëve”, u shpreh Alibeaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje