Christos Pappas, nënkryetari i “Agimit të Artë”, partisë së shpallur të jashtëligjshme tashmë në Greqi dhe organizatë kriminale është arrestuar në një lagje të Athinës pas muajve me radhë arratie për t’i shpëtuar dënimit me 13 vite burg.
Pappas ishte në arrati që nga tetori i vitit të kaluar, kur e gjithë udhëheqja e Agimit të Artë u dënua me burgim me akuzën e themelimit dhe drejtimit të një organizate kriminale.
Pappas njihet në Greqi dhe vende të tjera për deklaratat e tij nnaziste dhe konsiderohej si ideologu kryesor që qëndronte pas dogmës së Agimit të Artë, që në shënjestër ka pasur shpesh edhe shqiptarët.
Autoritetet greke njoftuan se Pappas u arrestua në lagjen Zografi të Athinës, i strehuar në banesën e një gruaje 52-vjeçare, që gjithashtu u arrestua. Avokati i Pappas ende nuk ka komentuar. Në tetor, ai tha se klienti i tij nuk do të dorëzohej pasi priste që dënimi i tij të anulohej në apel.
Pappas është ndër anëtarët themelues të Agimit të Artë dhe mik i ngushtë i udhëheqësit të saj, Nikolaos Michaloliakos. Ai është fotografuar nën një flamur nazist dhe duke mësuar fëmijët të bëjnë përshëndetjen e Hitlerit.
Agimi i Artë arriti kulmin e popullaritetit gjatë krizës shkatërruese financiare të Greqisë në 2012, kur hyri në Parlament me 11 deputetë. Por më shumë e njohur u bë për lidhjet që u provuan me sulmet ndaj emigrantëve dhe aktivistëve të krahut të majtë.
Një hetim kriminal ndaj partisë filloi që në 2013 pasi një reper antifashist u vra nga një mbështetës i Agimit të Artë në Athinë.
Në një prej aksioneve për arrestimin e Pappas pas tetorit të 2020, policia greke gjeti në banesën e tij flamuj nazistë dhe stampime e imazhe të udhëheqësit fashist italian, Benito Mussolini.
Gjyqi ndaj drejtuesve të Agimit të Artë zgjati për më shumë se pesë vjet dhe pa vendime kundër 68 të pandehurve të dhënë në tetor.
Dënimi i tyre u shoqërua me trazira në hyrje të gjykatës nga mbështetësit e ekstremistëve, që hodhën bomba molotov dhe gurë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Ioannis Lagos, një tjetër ish-drejtues i Agimit të Artë, që ishte edhe deputet në Parlamentin Europian deri në 2019 u ekstradua në Greqi nga Belgjika në muajin maj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje