Bota

SHBA mbyll kufijtë për europianët, vështirësi edhe për të vaksinuarit anti-Covid

Bashkimi Evropian ka rihapur dyert për amerikanët, për sa kohë që ata janë të vaksinuar. Por qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk lëviz: kufijtë mbeten të mbyllur për të gjithë evropianët dhe britanikët që nuk kanë “green card”, leja e qëndrimit të përhershëm, ose, natyrisht, edhe pasaporta amerikane. Ambasadat e Uashingtonit në Itali, Francë, Gjermani dhe Spanjë janë përmbytur me protesta për javë të tëra.

Kompanitë aktive europiane, nuk janë më në gjendje të dërgojnë punonjësit e tyre në SHBA, nga teknikët te menaxherët, edhe pse ata tashmë kanë një vizë të rregullt në dorë. E njëjta gjë vlen për studiuesit, profesorët, studentët. Sigurisht, turistët përjashtohen rreptësishtë nga ky rast.

Në të njëjtën kohë, evropianët që kanë jetuar dhe punuar në SHBA gjatë gjithë këtyre muajve, me siguri mund të udhëtojnë në vendet e tyre të origjinës. Por ata nuk kanë asnjë garanci se më pas do të jenë në gjendje të kthehen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bëhet fjalë për mijëra njerëz të bllokuar dhe mijëra biznese të dëmtuara.

Bllokada po zgjat prej 15 muajsh, saktësisht nga dekreti i nënshkruar nga Donald Trump më 31 janar 2020, në fillim të pandemisë. Një masë e pa revokuar kurrë nga administrata e re e Joe Biden. Këto rregulla, parashikojnë që ambasadat dhe konsullatat amerikane, mund të japin një leje të jashtëzakonshme, “Nie, National Interest Expection”, për ata që kanë nevojë urgjente të kthehen në Amerikë. Por zyrtarët u udhëzuan drejtpërdrejt nga Departamenti i Shtetit të shqyrtonin rastet individuale me shumë ashpërsi.

Tani është një problem politik dhe diplomatik. Për muaj me radhë nuk ka pasur asnjë takim në të cilin evropianët nuk e kanë ngritur këtë çështje me homologët e tyre amerikanë.

Gazeta amerikane “The Wall Street Journal”, e ka monitoruar çështjen në ditët e fundit, duke treguar se si “mungesa e reciprocitetit” po pengon marrëdhëniet ekonomike midis BE, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve.

Por pse amerikanët nuk lëvizin nga kjo masë, pavarësisht nga fakti se skenari është krejtësisht i ndryshëm nga sa ishte 18 muaj më parë?

Më 25 qershor, gjatë një konference për shtyp në Paris, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha: “Ne jemi të etur për të rivendosur lirinë e lëvizjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Por nuk jam në gjendje të tregoj një datë. Ne duhet të ndjekim udhëzimet e shkencës”.

Situata dukej se po përmirësohej pas takimit të nivelit të lartë SHBA-BE 15 qershorin e kaluar në Bruksel. U vendos që të formohej një komitet teknik, por deri më tani, ai është takuar vetëm një herë. Ekipi anti-Covid i Shtëpisë së Bardhë, i udhëhequr nga Anthony Fauci, do të rekomandonte kujdes për dy arsye.

E para: shumë evropianë janë vaksinuar me AstraZeneca, një serum i pa aprovuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, autoriteti federal i SHBA-ve.

Së dyti: jo të gjitha shtetet evropiane janë aktualisht në gjendje të garantojnë regjistrimin e saktë të personave të vaksinuar. Disa vende janë më përpara. Të tjerët më pak. Dhe sigurisht që SHBA-të nuk mund të bëjë dallimin midis një realiteti evropian dhe një tjetri. Këto janë kundërshtime që mund të kapërcehen me një përpjekje burokratike dhe gjithashtu me një qasje më politike.

Çështja AstraZeneca është shembullore. Kompania, siç rezulton, nuk ka paraqitur ende një kërkesë zyrtare për të marrë autorizimin e FDA-së, pavarësisht se ka filluar prodhimin në Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë.

Sidoqoftë, Bashkimi Evropian ka marrë përgjegjësi për efektivitetin e kësaj vaksine.

Qeverisë amerikane i kërkohet vetëm të lejojë që njerëzit e imunizuar me AstraZeneca të hyjnë, duke pasur parasysh se ekziston një marrëdhënie e bashkëpunimit të ngushtë dhe besimit të ndërsjellë midis EMA-s, autoritetit evropian dhe FDA-së amerikane.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë