Politike

PD: Të arrestohet Veliaj, sfidoi drejtësinë

Pas vendimit të Gjykatës kushtetuese për Teatrin Kombëtar, Partia Demokratike kërkon arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

“Erjon Veliaj që edhe sot vijoi hapur të sfidojë drejtësinë, të sfidoi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetutese, të injoroi faktin se në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit ka shkatërruar një pasurie kombëtare, duhet të arrestohet menjëherë. Duke shpërdoruar rëndë detyrën, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit, Erjon Velia është autori dhe përgjegjësi direkt për një dëm me vlerë të jashtëzakonshme për pasurinë tonë kombëtare”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Bardhi tha se sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri. “Arroganca, dhuna, paligjshmëria humbën betejën e tyre përballë qëndresës, qytetarisë dhe interesit publik”, vijoi ai.

Partia Demokratike përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetutese që sipas opozitës shpalli antikushtetuese veprimet e Qeverisë dhe Bashkisë për prishjen e një pasurie kombëtare, si Teatri Kombëtar, me qëllimin e vetëm për t’i hapur rrugë një afere të rëndë korruptive.

“Shfuqizimi i ligjit special dhe VKM që i kalon pronësinë Bashkisë Tiranë, bën nul, bën antikushtetues, të paligjshëm, çdo veprim të kryer nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira, pavarësisht se për këto akte nuk është kompetente për shqyrtim Gjykata Kushtetuese. Ky vendim merr në mbrojtje Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar si një pasuri që përbën trashëgimi kulturore të Shqipërisë”, tha Bardhi.

Ashtu si Basha më herët edhe Bardhi kërkoi nga SPAK që të veprojë.

“Pas Gjykatës Kushtetuese, radhën e ka Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK. Autorët e këtij krimi të rëndë kushtetutes dhe ligjor, me pasoja të rënda për interesin publik dhe pasurinë tonë publike, kanë emër dhe mbiemër, janë të gjithë të identifikuar dhe duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë përpara ligjit. Ata janë Edi Rama dhe Erjon Veliaj”, deklaroi numri dy i Selisë Blu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë