Brazili kalon në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës 2021, pasi mundi në Rio de Zhaneiro Kilin, me rezultatin 1-0. Goli i kualifikimit u shënua nga Peketa, i sapofutur në fushë në pjesën e dytë, pas një kombinimi të bukur me Nejmar. Në gjysmëfinale brazilianët do të ndeshen me Perunë, që eliminoi Paraguajin me penallti, pasi koha e rregullt përfundoi 3-3, ku Lapadula shënoi një dygolësh.
Në “Estadio Olimpico Nilton Santos”, Brazili ia doli të kualifikohej, duke mundur Kilin 1-0, ndërkohë që pjesën e dytë luajti me 10 vetë, pasi Gabriel Jeses u ndëshkua me të kuq. Portierët Ederson dhe Bravo treguan një formë të mirë, duke neutralizuar rastet e Vegas dhe Riçarlison. Nejmar dhe Gabriel Jesus rrezikuan për Brazilin në fundin e pjesës së parë, por pa rezultat.
Ndryshimet taktike pas pjesës së parë i dhanë të drejtë trajnerit Tite. Lukas Paketa në vend të Firminos dhe 63 sekonda pas nisjes së kësaj pjese, ish-lojtari i Milanit realizoi golin e kualifikimit. Vetëm pak minuta më pas Gabriel Jesus rrezikoi të shkatërronte gjithçka, duke goditur Minën në fytyrë dhe i kuq i paevitueshëm. Kili shënoi një gol në minutën e 62-të me Vargas, por VAR-i e anuloi për pozicion jashtë loje. Brazili administroi avantazhin, madje Danilo ishte afër dyfishimit. Në fund Ederson shpëtoi Seleçaon me një pritje të shkëlqyer ndaj Vargasit.
Peruja mundi 7-6 me penallti Paraguajin. Koha e rregullt u mbyll me 6 gola, nga 3 për secilën skuadër dhe dy kartonë të kuq. Nga pika e bardhë fati i buzëqeshi Perusë, që në gjysmëfinalen gjen Brazilin pretendent.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje