Partia Demokratike thotë se rasti i Teatrit Kombëtar nuk është i vetmi në të cilin, sipas saj, keqqeverisja ka shkelur Kushtetutën dhe mohuar e nëpërkëmbur të drejta të qytetarëve duke vepruar si një bandë plaçkitëse për llogari të oligarkëve dhe krimit.
“Sot është më e qartë se kurrë, se pikërisht në mungesë të Kushtetueses, regjimi ndërmori një revansh të ashpër ndaj shtetit të së drejtës. Ky revansh është edhe një nga arsyet e krizës politike që prej vitesh regjim ka nxitur në jetën e vendit dhe që masakra zgjedhore e 25 prillit nuk zgjidhi dot”, deklaroi deputetja e zgjedhur e PD, Albana Vokshi.
Bashkia e Tiranës e interpreton vendimin e Kushtetueses, që nuk shfyqizoi vendimin e Këshillit Bashkiak që shembi godinën e teatrit si provë që ai është i drejtë, por për opozitën, fakti që Kushtetuesja ka rrëzuar si ligjin për ndërtimin e tij me PPP, ashtu edhe VKM-në e kalimit të pronësisë nga Qeveria te Bashkia e bën nuk këtë vendim të Këshillit Bashkiak.
“Shpallja antikushtetuese e ligjit për ndërtimin e teatrit me PPP, që grabiste pronën publike, dhe vendimi për kalimin e Teatrit nga Ministria e Kukturës te Bashkia bën nul çdo vendimmarrje të Këshillit Bashkiak dhe Erion Veliajt mbi një pronë që nuk ju takon. Ky vendim është i paligjshëm”, vijoi Vokshi.
Sipas Vokshit beteja për Teatrin Kombëtar nuk ishte thjesht për teatrin dhe kërkoi nga SPAK që të hetojë.
“Jo, kauza e teatrit ishte shumë më shumë se kaq! Ajo ishte dhe mbetet një kauzë në mbrojtje të ligjit themelor që na mban bashkë si shqiptarë, Kushtetutës, një kauzë në mbrojtje të demokracisë. Pas këtij vendimi të GJykatës Kushtetuese, Partia Demokratike i kërkon SPAK të ngrihet në lartësinë e pritshmërive të qytetatëve shqiptarë dhe të nxjerrë nga sirtarët kallëzimin e PD për shembjen e TK”, vijon PD.
“Kushdo që ka abuzuar me pushtetin, duke filluar nga Edi Rama e Erjon Veliaj, çdo nënpunës në administratë që është bërë pjesë e vendimmarrjes antikushtetuese e antiligjore, çdo punonjës policie që u përfshi në aktin e dhunës së shembjes barbare, duhet të përgjigjet para drejtësisë. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe sot SPAK duhet ta tregojë këtë duke arrestuar menjëherë Erion Veliaj, autorin dhe përgjegjësin direkt të shembjes së Teatrit, i cili ka shpërdoruar detyrën dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit ka shkatërruar një pasuri kombëtare”, tha më tej Vokshi.
Deputetja e zgjedhur e PD tha se opozita i qëndron premtimit për ndërtimin e godinës së teatrit aty ku ishte dhe ashtu siç ishte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje