Politike

Mesazhi i Kim për 4 Korrikun: Shqipëria zgjodhi SHBA! Do të forcojmë demokracinë

Mesazhi i Ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim me rastin e 4 Korrikut hoqi një paralele mes ngjarjes historike amerikane dhe zhvillimeve të tre dekadave të fundit shqiptare.

“Ndërsa festojmë ditëlindjen e 245-të të Shteteve të Bashkuara, shënojmë gjithashtu 30 vjet që kur populli i Shqipërisë refuzoi diktaturën komuniste në përkrahje të demokracisë. Në një nga veprimet tuaja të para si një popull i lirë, Shqipëria i shtriu dorën e miqësisë Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara e kapën me krenari dorën tuaj në vitin 1991 dhe ne kurrë nuk e kemi lëshuar atë”, deklaron Ambasadorja.

Kryediplomatja e SHBA thotë se do të vazhdojë puna përpara për forcimin e demokracisë, shtetin ligjore dhe forcimin e bashkëpunimit për mbrojtjen e sigurinë dypalëshe si dhe për zhvillimin e sipërmarrjes,

“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, citon deklaratën Ambasadorja Kim.

Deklarata e Pavarësisë së SHBA ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë denoncon veprimet dhe vendimet arbitrare shtypëse e dhunuese të Mbretit të Anglisë, George III ndaj kolonive dhe banorëve të tyre në Amerikë, ndërsa në pjesën e dytë shpallet Pavarësia dhe parimet kryesore të shtetit të ri që do të lindte pas kësaj deklarate, që pak e mendonin në atë kohë se brenda dy shekujve do të shndërrohej në fuqinë që do të merrte në dorë flamurin e demokracisë në të gjithë botën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë