Partia Demokratike ka apeluar në Komisionin për Ankesa dhe Sanksioneve vendimin e Ilirjan Celibashit që nuk deklaroi përfundimin e mandatit të kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
KAS ka hedhur këtë të martë shortin dhe relator është përzgjedhur anëtari Koli Bele. PD thotë se Qerimaj është në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe zgjedhur sipas dispozitave të ligjit të dekriminalizimit.
“Këto dispozita e lidhin ndalimin për kandidim dhe zgjedhje vetëm me masën e dënimit penal të subjektit të deklarimit dhe jo me llojën e veprës penale, apo me konvertimin e veprës së kryer në një shtet të huaj me atë të parashikuar nga legjislacioni penal i vendit tonë”, thotë PD.
Sipas opozitës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka keqinterpretuar parashikimet e ligjit të dekriminalizimit dhe i kërkon KAS rrëzimin e vendimit të tij dhe largimin e Qerim Ismailajt nga posti i kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës.
“Vendimmarrja e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për vazhdimin e mandatit të të zgjedhur vendor, kryetarit të Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj është e padrejtë dhe e pabazuar në dispozita ligjore dhe si e tillë duhet të shfuqizohet nga ana juaj”, mbyllet kërkesa e PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje