Bota

Bisedimet në rrezik, Irani më pranë prodhimit të armëve bërthamore

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane paralajmëruan Iranin se përpjekjet e tij të fundit për pasurimin e uraniumit, mund të rrezikojnë bisedimet që po zhvillohen në Vjenë për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Paralajmërimi u bë vetëm disa orë pasi Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore njoftoi se Irani ka nisur pasurimin e uraniumit në 20 për qind – një hap që e çon atë më pranë zhvillimit të materialeve që mund të përdoren për të ndërtuar armë bërthamore.

Uashingtoni i bën thirrje Teheranit të ndërpresë “lojën me zjarrin” dhe t’u kthehet bisedimeve në Vjenë, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

“Ky është një hap fatkeq për Iranin”, tha ai.

Ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë gjithashtu shprehën “shqetësim të madh”, duke paralajmëruar se veprimi i Iranit rrezikon bisedimet.

“Me hapat e tij të fundit, Irani po kërcënon një rezultat të suksesshëm në bisedimet e Vjenës, pavarësisht përparimit të arritur në gjashtë raunde negociatash deri më sot”, thanë ministrat në një deklaratë.

“Irani duhet të kthehet në negociata pa vonesë. Ne kemi theksuar vazhdimisht se koha nuk është në anën e askujt”, thanë ata.

Britania, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara janë në mesin e fuqive globale, së bashku me Kinën dhe Rusinë, që kanë negociuar marrëveshjen bërthamore me Iranin në vitin 2015.

Me këtë marrëveshje, Irani ka rënë dakord të kufizojë programin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë