Bota

Foto-Video/ Holandë, plagoset rëndë në një atentat me armë gazetari i njohur investigativ

Një pritë në qendër, para syve të kalimtarëve në një skenë të pabesueshme. Mbrëmjen e të martës në Amsterdam, u plagos rëndë një nga gazetarët më të njohur investigativë në Holandë.

Peter R.de Vries, 64 vjeç, sapo kishte dalë nga një studio televizive, ku ftohet rregullisht dhe po ecte në “Lange Leidsedwarsstrat”, kur dikush e qëlloi atë katër ose pesë herë me një armë zjarri pistoletë.

Në një video, shihet reporteri i pajetë në tokë dhe gjaku që i del nga koka. Pastaj ambulanca që e dërgon me nxitim në spital.

Policia holandeze arrestoi tre persona të dyshuar si përgjegjës për atentatin. Dy nga të dyshuarit (midis të cilëve hetuesit besojnë se ka qenë personi që ka qëlluar me armë zjarri), u ndaluan ndërsa iknin përgjatë autostradës jashtë qytetit me një makinë tip “Audi”.

I treti, u gjurmua në një apartament në qendër të Amsterdamit. Policia nuk ka zbuluar se kush janë të arrestuarit, kështu që ende nuk është sqaruar se cili është motivi i sulmit me armë.

“Gjendja e personit të plagosur është shumë e rëndë, – thotë Vincent Verweij, një koleg i cili punon për sajtin “Crimesite”, – ne jemi të tronditur. Në vitet e fundit, Peter është larguar nga gazetaria hulumtuese dhe tani punon për një kompani ligjore me djalin e tij. Kohët e fundit, në procesin Marengo kundër “Mocro Maffia”-s (krimi i organizuar i gjeneratës së re që vepron midis Holandës dhe Belgjikës), ai mori rolin e këshilltarit të një të penduari, Nabil Bakkali”.

Ndërkohë, kryeministri Mark Rutte dhe Ministri i Drejtësisë, Ferdinand Grapperhaus, shkuan në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë dhe Kundër Terrorizmit (NCTV) në Hagë për një samit mbi situatën.

De Vries ka ndjekur qindra raste në karrierën e tij dhe është kërcënuar disa herë nga bota e krimit. Në vitin 2019, ai shkroi në Twitter se ishte informuar nga autoritetet se ishte bërë shënjestër e një krimineli të arratisur.

Gazetari u bë i njohur në vitin 1983 për artikujt e tij mbi rrëmbimin e manjatit të birrës, Freddy Heineken. Në vitin 2006, ai punoi në Aruba, në Karaibe, për zhdukjen e 19-vjeçares amerikane, Natalee Holloway, gjë që e bëri atë të njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga 1995 deri në 2012-ën, ai drejtoi një emision shumë të njohur televizive që merrej me vrasje të profilit të lartë. Në vitin 2013, autori i rrëmbimit të Heineken, Willem Holledeer, u dënua për kërcënime ndaj gazetarit.

Ai aktualisht po vuan një dënim të përjetshëm për bashkëpunim në pesë vrasje. Në vitin 2019, Ridouan Taghi, aktualisht në gjyq për vrasje, mohoi publikisht lajmin se ai kishte kërcënuar De Vries me vdekje. Por pista më konkrete në këto orë të para, mbetet gjyqi kundër “Mocro Maffia”-s.

Një organizatë kriminale e bazuar në emigrantë të rinj të brezit të dytë, të lindur nga familje kryesisht marokene ose nga ish-kolonitë holandeze, të cilët për disa vite kanë qenë padronë të tregut të kokainës midis Holandës dhe Belgjikës. Një strukturë piramidale që funksionon në heshtje dhe me efikasitet, që nuk pranon defeke ose kërcënime në qendrën e saj të pushtetit.

“Në vitin 2019, avokati Derk Wiersum, i cili mbrojti Bakkalin, u vra së bashku me vëllain e tij, – shpjegon Verweij. – Është pak si në Napoli në vitin 1980 me vrasjen e Marcello Torres me urdhër të Raffaele Cutolos”.

Sulmi, i cili ndodhi disa hapa larg Leidseplein, një nga vendet kryesore të takimit për të rinjtë dhe turistët, midis dyqaneve të kafesë me ngjyrë neoni dhe disa kanaleve ujore, larg lagjes historike me “drita të kuqe” të De Ëallen, hedh një hije mbi Holandën dhe rreth Amsterdamit.

Në një qytet, që është një simbol botëror i argëtimit dhe teprimit, kaq larg nga ndjeshmëria e kursyer që karakterizon pjesën tjetër të vendit, opinioni publik holandez tronditet nga brutaliteti i një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj informacionit të lirë.

Gjatë seancës plenare këtë mëngjes në Bruksel, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von der Leyen, shprehu solidaritetin e saj ndaj De Vries, duke kujtuar sesi gazetarët besnikë të misionit të tyre nuk përfaqësojnë një kërcënim, por një vlerë për ruajtjen e vlerave demokratike.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë