Politike

KAS rrëzon PD, dekriminalizimi nuk e prek Qerim Ismailajn e Mallakastrës

Komisioni për Ankesat dhe Sanksionet ka rrëzuar ankimimin e Partisë Demokratike dhe ashtu si Ilirjan Celibashi më parë la në detyrë kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike thanë se Ismailaj ishte në kushtet e ndalimit të së drejtës për t’u zgjedhur, parashikuar nga ligji i dekriminalizimit pasi ka fshehur nga formulari i dekriminalizimit faktin që është i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat greke.

KAS e interpretoi dosjen e prokurorisë, që konfirmoi faktin se Qerim Ismailaj ishte dënuar në Greqi, por gjatë konvertimit të akuzës së palës greke sipas Kodit Penal shqiptar ai rezultonte të ishte dënuar me akuzën e “dëmtimit me dashje” dhe jo atë të “plagosjes”.

Akuza e dëmtimit me dashje me paaftësi fizike më pak se 9 ditë nuk bën pjesë në listën e veprave penale që ndalohen nga dekriminalizimi. Gjatë mbrojtjes së kërkesës, përfaqësuesit e PD-së vunë në pikëpyetje klasifikimin e kësaj akuze nga prokuroria, duke thënë se ajo nuk përcakton në dosje nëse personat e dëmtuar nga Qerim Ismailaj në Greqi kanë pasur paaftësi fizike për më shumë, apo më pak se 9 ditë.

KAS rrëzoi me shumicë votash kërkesën. Vendimi mund të apelohet në Kolegjin Zgjedhor, që është shkalla e fundit e vendimmarrjes për këtë proces.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë