Politike

Shpërfillet thirrja e ndërkombëtarëve, Kuvendi voton për kryetaren e AMA-s në seancën e fundit të tij

Mazhoranca shpërfilli thirrjen e zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë për të mos u nxituar në votimin për përzgjedhjen e kryetarit të ri të Autoritetit të Mediave Audivizive.

Në seancën e fundit të kësaj legjislature, rendi i ditës nuk ndryshoi dhe deputetët votuan me fletë emrin se kush do të drejtojë këtë autoritet. Mes kandidatëve është edhe Armela Krasniqi, ish-zëdhënëse e Partisë Socialiste, që PD thotë se do të votohet në këtë post për ta kapur institucionin e AMA-s.

Krasniqi u votua në fund me 83 vota pro.

Bashkimi Europian kërkon që zgjedhja e kryetarit të ri të Autoritetit të Mediave Audiovizive të shmangë çdo dyshim mbi pavarësinë e këtij institucioni.

“Ne kemi ndjekur nga afër procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe anëtarëve të bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s”, thuhet në reagimin e BE.

Më herët, zyra e BE në Tiranë ftoi Kuvendin dhe mazhorancën që të konsiderojë shtyrjen e procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri të AMA-s për në legjislaturën tjetër.

“Vëmë re se votimi nga Parlamenti për emërimin e kryetarit është planifikuar për sot, në seancën e fundit të kësaj legjislature. Ne i ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht”, thotë deklarata.

Përfaqësia e Bashkimit Europian kujton se është rishikuar Direktiva e Shërbimeve të Mediave Audiovizive dhe ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave, përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente dhe të pavarura për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të këtyre autoriteteve dhe ky legjislacion është pjesë e acquis të BE-së të cilin Shqipëria duhet të përshtasë.

Edhe OSBE ka reaguar në lidhje me këtë çështje.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka ndjekur procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Po ashtu, ne kemi qenë në kontakt me aktorët përkatës, duke theksuar nevojën për një organ të pavarur të rregullimit të medias. Ne nënvizojmë rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të AMA-s, për të garantuar që AMA ta përmbushë më së miri misionin e saj të ndjeshëm”, thuhet në deklaratë.

Rëndësisë së transparencës dhe të një procesi që nuk vë në pikëpyetje paanshmërinë e këtij institucioni e theksoi edhe Ambasada Britanike në Tiranë.

“Procedurat transparente janë thelbësore për të siguruar besimin e publikut dhe të të gjithë aktorëve të medias te rregullat, ligji dhe autoritetet publike. Sot theksojmë thirrjen e partnerëve ndërkombëtarë për të garantuar profesionalizmin e AMA-s përmes zgjedhjes së kandidatëve të pavarur në strukturat drejtuese të institucionit”, thuhet në reagimin e Ambasadës Britanike.

Nga Partia Demokratike ka reaguar deputetja e zgjedhur, Albana Vokshi.

“Tentativa e Edi Ramës për kapjen e plotë të Autoritetit të Medias Audiovizive është e papranueshme edhe për Bashkimin Europian. Plani për të emëruar zëdhënësen e tij në krye të AMA-s me një Parlament njëpartiak është antidemokratik. Standardi i Edi Ramës për lirinë e medias nuk ka lidhje me Europën”, tha Vokshi.

Kuvendi u mblodh këtë të mërkurë në seancën e fundit plenare të legjislaturës së IX, ku pika e fundit e rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizive, ku në garë janë Alketa Dibra dhe Armela Krasniqi, kjo e fundit e akuzuar nga PD për shkak të postit që ka mbajtur në PS si zëdhënëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë