Futboll

Partizani dhe Vllaznia, sot në fushë për të lënë gjurmë në Kupat e Europës

Laçi dhe Teuta nuk ia dolën, sot është radha e Partizanit dhe Vllaznisë për të përmirësuar imazhin e futbollit shqiptar në kompeticionet europiane. Të dyja këto skuadra luajnë ndeshjet e turit të parë eliminator të Ligës së Konferencës sot në mbrëmje.

Partizani luan në “Elbasan Arena”, në orën 20:00, ndaj ekipit modal të Sfintul Gheorge. Një kundërshtar i përballueshëm nga skuadra e trajnerit Ilir Daja, që gjatë kësaj periudhe ka pësuar shumë ndryshime. Nga Partizani janë larguar shumë titullarë të sezonit të fundit, ku veçohen Çinari, Asani, Bitri, Broja, Hakaj, por edhe disa të tjerë, i fundit Ferhan Hasani. Grupi është plotësuar me lojtarë si Musta, Marku, Shehi dhe Gligorov.

Trajneri Daja dhe kapiteni Hoxha janë shprehur optimistë për ndeshjen e sotme. Synimi i të kuqve është kualifikimi në turin e dytë dhe rezultati në “Elbasan Arena” do të ketë shumë rëndësi. Sulmi i të kuqve do të udhëhiqet nga braziliani Stenio Zhunior.

Një orë më pas, në orën 21:00, Vllaznia luan në Bosnjë Hercegovinw ndaj Shiroki Brijeg në të njëjtin kompeticion. Edhe shkodranët, ashtu si Partizani, kanë pësuar shumë ndryshime në skuadër, megjithatë trajneri Tomas Bërdariç dhe të tijtë e presin me shumë optimizëm sfidën e sotme ndaj boshnjakëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë