Politike

Vokshi: PD kallëzoi në SPAK kryetaren e AMA-s për shkelje të Kodit Zgjedhor

Deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi, reagoi ndaj votimit në Kuvend nga mazhoranca të kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi.

Pa i përmendur emrin në deklaratë, por duke iu referuar asaj, Vokshi tha se ndaj saj PD ka depozituar një kallëzim në SPAK për shkelje të Kodit Zgjedhor.

“Parlamenti ilegjitim i vuri dje vulën e regjimit antidemokratik me emërimin skandaloz të zëdhënëses së Edi Ramës në krye të Autoritetit të Medias Audiovizive.

Një militante në drejtimin e Autoritetit që ka në dorë licensat dhe gjobat ndaj televizioneve, përbën një kërcënim serioz për lirinë dhe pavarësinë e medias.

Në detyrën e drejtueses së Agjencisë Telegrafike Shqiptare, militantja e Edi Ramës e shndërroi këtë institucion publik, që mbahet me taksat e shqiptarëve, në një shtojcë të propagandës së qeverisë dhe Partisë Socialiste.

Për këtë arsye, gjatë fushatës zgjedhore, Partia Demokratike ka bërë kallzim penal në SPAK për ‘shpërdorim të detyrës’ dhe ‘Përdorim të funksionit publik për veprimtari politike e zgjedhore”, tha Voshki përmes një deklarate zyrtare.

Pas votimit në Kuvend, Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të mos heshtë për këtë rast.

“SPAK të nxjerrë dosjen nga sirtari, ku qëndron prej gati 4 muajsh, dhe ta hetojë militanten e Edi Ramës! Ky do të jetë një kontribut real jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për lirinë e medias, duke e çliruar Autoritetin e Medias Audiovizive nga militantët e paaftë dhe kamikazë të kryeministrit…”, tha ajo


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë