Futboll

Serxho Ramos prezantohet te PSG, tani radhën e ka Pol Pogba

Merkato yjesh te PSG. Pas blerjeve të mesfushorit Xhorxhino Uijnaldum dhe mbrojtësit të djathtë Ashraf Hakimi, klubi francez ka zyrtarizuar edhe afrimin e spanjollit Serxho Ramos. Ish-mbrojtësi i Real Madridit ka firmosur një kontratë deri më 30 qershor 2023 me PSG-në.

Spanjolli kalon te parisienët me parametra zero “Jam shumë i lumtur që po i bashkohem PSG-së, – ka deklaruar mbrojtësi i qendrës. – Është një ndryshim i madh në jetën time, një sfidë e re dhe një ditë që nuk do ta harroj kurrë. Jam krenar që bëj pjesë në një projekt shumë ambicioz. Do të jem në një skuadër me lojtarë të mëdhenj. PSG është një klub që ka arritur në nivelet më të larta dhe ka një bazë solide. Dua të vazhdoj të rritem te kjo skuadër dhe ta ndihmoj atë për të fituar sa më shumë tituj”.

Klubi francez zyrtarizon Ramosin. Gazeta Si, 8 korrik 2021

Kalimi i Ramosit te PSG-ja ishte i pritshëm që pas largimit të tij nga Real Madrid. Francezët i kanë plotësuar ekspertit të mbrojtjes kërkesat ekonomike dhe marrëveshja kishte kohë që ishte mbyllur. Tani ka ardhur edhe prezantimi zyrtar për spanjollin. Por drejtuesit e PSG-së nuk do të ndalen këtu.

Radhën duket se e ka mesfushori Pol Pogba, aktualisht pjesë e Mançester Junajtid. Ai është ai objektivi kryesor për PSG-në në këtë moment dhe nëse edhe Pogba bashkohet me këtë skuadër, atëherë ajo do të bëhej vërtet e frikshme jo vetëm në kampionatin francez, por edhe në Ligën e Kampionëve. Një çështje që pret zgjidhje ndërkohë është ajo e sulmuesit Kilian Mbape, i cili ka dëshirë për t’u larguar në një kampionat tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë