Ne rrjet

Vrasja e presidentit, Haiti mes pushtetit të bandave dhe duelit për postin e kryeministrit

Autoritetet haitiane, të cilat për vite kanë lejuar që të lulëzojnë bandat e armatosura që terrorizojnë popullsinë, kanë njoftuar se kishin gjurmuar dhe vrarë katër persona që i përkisnin komandos së “mercenarëve të huaj” të cilët dyshohet se kanë vrarë presidentin Jovenel Moïse.

Situata në lidhje me identitetin e tyre nuk është e qartë, se ku dhe si u vranë dhe cilët janë dy anëtarët e tjerë të grupit që dyshohet se u arrestuan.

Ekzekutimi i tyre, flitet se është zhvilluar në të njëjtën zonë ku ndodhet vila e presidentit, në Petionville, në kodrat e kryeqytetit, pasditen e të mërkurës, sipas burimeve qeveritare.

“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”, – tha Claude Joseph, kryeministri, i cili u shkarkua nga presidenti një ditë para se të vritej. Tre policë, që autoritetet thanë se ishin pengje të komandos, u lanë të lirë, tha drejtori i përgjithshëm i policisë, Leon Charles. Ndërsa një zëvendësministër i informacionit, pranoi se mes vrasësve kishte edhe shtetas haitianë.

Po pse komandoja do të qëndronte në zonën e krimit? Rindërtimet e ngjarjes dhe lajmet fragmentare, kanë për qëllim qetësimin e njerëzve dhe diplomacisë.

“Gjithçka është nën kontroll”, – përsëriti Joseph, në një vend, ku gjithçka është në kaos dhe bandat kriminale kanë referenca të fuqishme në botën politike dhe ekonomike, në një luftë midis grupeve të pushtetit, që luftojnë për të ruajtur privilegjet dhe për të kapur burimet, për t’u përballur me milionat e haitianëve që jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë.

Jovenel Moïse ishte një aktor dhe një viktimë e kësaj lufte. Ndërsa gjendja e gruas së tij është e qëndrueshme, e cila u plagos rëndë në sulmin ndaj vilës Petionville në kodrat e Port-au-Prince.

Martine Moïse është dërguar urgjentisht në SHBA për mjekim të specializuar, në një spital në Fort Lauderdale, Florida.

Edhe sot, rrugët e Port-au-Prince janë të shkretuara. Njerëzit kanë frikë. Aeroporti ndërkombëtar dhe kufijtë me Republikën Dominikane u mbyllën. Qeveria ka njoftuar një gjendje të jashtëzakonshme për dy javë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, kryesisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se po shohin përpara. Zgjedhjet presidenciale ishin caktuar për në shtator, megjithëse nuk është aspak e sigurt se ato do të mbahen siç është planifikuar.

Sipas Kushtetutës, funksionet e kryetarit të përkohshëm të shtetit, duhej të merreshin nga kreu i Gjykatës Kushtetuese, i cili, megjithatë, sapo ka vdekur nga Covid dhe nuk është zëvendësuar. Parlamenti është shpërndarë dhe Moïse kishte qeverisur me dekret si president-autokrat për dy vitet e fundit.

Kryeministri i shkarkuar, Joseph, i cili kishte marrë i vetëm udhëheqjen e qeverisë në prill, doli nga dera, por duket se po rikthehet nga “dritarja”.

Nën krizën institucionale, ekziston agonia e një vendi prej 11 milionë banorësh, ku dhuna e përditshme e bandave shtohet në ngushticat e zakonshme, infektimeve me Covid dhe kriza e urisë.

Ariel Henry, 71 vjeç, një neurokirurg, ish-ministër i Brendshëm, i konsideruar i afërt me partitë e opozitës, u zgjodh nga Moïse të hënën për të zëvendësuar Claude Joseph në krye të qeverisë.

Ai nuk kishte kohë të betohej para presidentit, sepse ky i fundit u vra. Tani, Henry pretendon vendin e tij, ndërsa Jozefi nuk duket i gatshëm të largohet.

“Emërimi im u botua në Fletoren Zyrtare dhe unë isha duke formuar një qeveri”, – tha Henry në një intervistë, ndërsa rivali i tij, paraqitet si udhëheqësi i vendit. Një episod tjetër në farsën e pushtetit haitian.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë