Një rezolutë e propozuar nga partia opozitare VMRO-DPMNE-ja për caktimin e vijave të kuqe me Bullgarinë, mund të bllokojë në pafundësi procesin e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut, dhe për pasojë edhe të Shqipërisë.
Rezoluta kjo ka marrë mbështetjen e të gjithë partive politike maqedonase. Ndërkohë partitë shqiptare nuk kanë ende një qëndrim të qartë për këtë iniciativë, por ajo ka ndikuar në polarizimin e situatës politike në vendin. Në të njëjtën kohë ky hap i partisë opozitare mund të prish “qetësinë” etnike në vend dhe të vonojë edhe më shumë proceset integruese të vendit.
Muhamed Halili, kryetar i Këshillit të Ambasadorëve në Maqedoninë e Veriut, thotë se përmes rezolutës që duhet të kalojë për miratim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, VMRO-ja kërkon “të respektohen studimet shkencore maqedonase në lidhje me autoktoninë e popullit maqedonas dhe vazhdimësinë historike, gjuhësore, kulturore.
Rezoluta e propozuar është mbështetur edhe nga Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev edhe pse fillimisht, kjo parti e refuzoi, duke akuzuar krerët e VMRO-DPMNE-së se përmes rezolutës tentojnë të përfitojnë politikisht, pasi sipas LSDM-së, “çështjet që kanë të bëjnë me identitetin asnjëherë nuk kanë qenë objekt i negociatave”.
Mbështetja që i jep LSDM-ja rezolutës së VMRO-së, sipas Muhamed Halili nga Këshilli i Ambasadorëve, rrezikon integrimin evropian.
“Nëse edhe LSDM-ja përkrah propozimin e VMRO-DPMNE-së, atëherë është e qartë se vështirësohet edhe më tej integrimi europian i vendit fqinj. Është e qartë se shpresat për hapjen e negociatave, brenda këtij viti, po shuhen. Por, nëse LSDM-ja e mbështet, shuhen të gjitha perspektivat për integrim. Partia e Zaevit si duket do ta mbështesë, meqë bëhet fjalë për garën e fitimin e pushtetit në zgjedhjet lokal në tetor”, thotë Halili.
Por, Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve ndërkombëtare, thotë se askush nuk ka mandat për të negociuar për çështjet që kanë të bëjnë me identiteti dhe se nuk sheh asgjë të keqe në miratimin e një rezolutë të tillë me konsensus të gjerë.
Ndërkohë, Muhamed Halili, nga Këshilli i Ambasadorëve thotë se procesi i integrimit nuk duhet të bllokohet dhe se sipas tij, partitë shqiptare duhet të angazhohen për mosbllokimin e këtij procesi.
“Askush nuk ka mandat që të negociojë për emrin e gjuhës tonë apo për identitetin e maqedonasve, por edhe të gjithë atyre që jetojnë këtu. Askush këtë nuk mund ta bëjë pasi nuk kanë mandatin për një gjë të tillë, as Zoran Zaevi, as Hristijan Mickoski e as Ali Ahmeti apo kushdo qoftë tjetër. Ne kemi përmbushur të gjithë kriteret për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, por nuk duhet me çdo kusht të pranojmë nënçmime apo kushtëzime me gjëra të kanë të bëjnë me veçoritë tone. Duam Evropën, por më shumë duam veten tonë. Të gjitha partitë duhet të punojnë për të zhvilluar vendim, të bëjmë reformat, të rrisim standardin jetësor, të bëjmë këtu Evropën”, thotë Dujoski.
“Atëherë duhet që forcat politike shqiptare në përgjithësi të ulen dhe të bisedojnë se deri kur mund të durojnë që të mos të zgjidhet problemi, apo mos duhet të presim dhe 30 vjet tjera (sikur në rastin e kontestit me Greqinë), të humbet perspektiva e të rinjve, të mbyllen dyert e BE-së, apo të gjendet ndonjë zgjidhje tjetër e cila do të mundësonte integrimin e shpejtë dhe hapjen e perspektivës së të rinjve dhe të zhvillimit ekonomik”, thotë Halili.
Partitë shqiptare, si Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, ashtu edhe ato në opozitë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë shprehur kundër rezolutës. Ato thonë se “nuk mbështesin asnjë dokument që cenon rrugën drejt BE-së dhe prishjen e raporteve të mira ndër fqinjësore”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje