Partizani e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën europiane, duke mundur 5-2 moldavët e Sfintul Gheorge në Ligën e Konferencës. Skuadra e Ilir Dajës ka shfrytëzuar si duhet dobësitë e mbrojtjes kundërshtare për të shënuar 5 gola, që i japin siguri për ndeshjen e kthimit. Me fanellën e kuqe kanë debutuar në këtë ndeshje Musta, Shehi dhe Gligorov në mbrojtje, si dhe Marku në mesfushë.
Braziliani Stenio Zhunior është pa asnjë diskutim njeriu i ndeshjes për të kuqtë, autor i 3 golave dhe 3 asisteve. Praktikisht, e mundi i vetëm ekipin kundërshtar. Ishte ai që i rrëmbeu një top mbrojtjes moldave në minute e 17-të, me shumë altruizëm pasoi në zonë për patriotin e tij Kardozo dhe ky i fundit kaloi Partizanin në avantazh. Pak minuta më pas Zhunior dyfishoi rezultatin pas një pasimi të Carës nga e djathta.
Në fundin e pjesës së parë, Sfintul fitoi nëj goditje këndi dhe në zhvillimet e saj Musta e preku topin me dorë në zonë, duke shkaktuar penallti dhe moldavët shkurtuan në 2-1. Një lojë fragmentare e skuadrës kryeqytetase, por shumë efikase në sulm. Zhunior trefishoi rezultatin dhe pastaj shfrytëzoi një tjetër gafë të mbrojtjes moldave për t’i dhuruar kënaqësinë e golit edhe Tedi Carës.
Skuadra mike shkurtoi diferencën në 4-2, pas një pakujdesie në mbrojtje të Partizanit, ku as Shehi dhe as Hoxha nuk mundën ta shmangnin rrezikun. Por ka kohë edhe për një gol tjetër për Partizanin, që e çon rezultatin në 5-2. Sërish protagonist Zhunior, që jep një asist me kokë për Kardozon dhe ai nuk fal. Me rezultatin 5-2, të kuqtë kanë gjithçka në dorë për kualifikimin në turin e dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje