Pak ditë pas marrjes së Presidencës së Bashkimit Europian, Sllovenia duket se ka nisur nga puna për zhbllokimin e negociatave të integrimit me vendin tonë dhe Shkupin zyrtar. Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor u takua së fundmi me homologun e tij Bullgar Rumen Radev për të diskutuar mbi veton e Bullgarisë kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut ne BE. Presidentët thanë se janë të përkushtuar personalisht për të kërkuar një zgjidhje kompromisi që do të hapte rrugën për fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Pahor dhe Radev bënë thirrje për një zgjidhje kompromisi të pranueshme nga të gjitha palët. “Zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor është i nevojshëm dhe duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, thanë dy presidentët ndërsa zhvilluan bisedime në Sofje përpara samitit të Iniciativës Tre Deteve. Bullgarët do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme të dielën dhe çdo kompromis do të duhet të miratohet nga parlamenti i ardhshëm. Parlamenti i mëparshëm votoi në tetor të vitit 2019 me shumicë absolute një deklaratë që përmban kushte të rrepta për miratimin e fillimit të bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Pahor diskutoi çështjen me Presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski javën e kaluar kur ai vizitoi Ohrin. Zgjerimi i BE është një nga përparësitë e presidencës sllovene të BE. Gjatë presidencës portugeze në gjysmën e parë të vitit, edhe pse pati përpjekje, nuk u arrit asnjë marrëveshje mbi fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Për shkak të bllokimit të Bullgarisë, negociatat janë bllokuar edhe me Shqipërinë. Sofja konsideron se Shkupi nuk ka arritur të zbatojë Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të nënshkruar në 2017, për çështje të tilla si historia e përbashkët. Sofja fajëson gjithashtu Shkupin për retorikën mediatike ku Bullgaria etiketohet si një shtet fashist dhe Bullgarët e përshkruar si “Tatarë”. Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, nuk ka veto, megjithatë, shumica e vendeve anëtare mendojnë se Maqedonia e Veriut dhe bisedimet e pranimit të Shqipërisë nuk duhet të shkëputen. Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, thotë nga ana tjetër se Bashkimi Evropian duhet t’u mundësojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të ecin përpara me bisedimet për anëtarësim deri në tetor. “Ne e dimë që Bashkimi Evropian hedh hapa të mëdhenj përpara kur përqendrohet në diçka”, tha kryeministri Janez Jansha në një konferencë me gazetarë. Ai u shpreh se dy vendet mund të përparojnë në rrugëtimin evropian nëse të gjithë punojnë në këtë drejtim. Takimi i radhës mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është vendosur të mbahet në datën 6 tetor në Slloveni. Kryeministri slloven e ka përsëritur faktin se Ballkanin Perëndimor do jetë përparësi gjatë kohës, që ai do të jetë në krye të presidencës së Bashkimit Evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje