Dy janë lajmet që kanë populluar mjedisin mediatik ditët e fundit, që në pamje të parë nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, por në të vërtetë kanë të përbashkëta të mëdha. Së pari, aksioni i SPAK-ut në Bashkinë e Lushnjes dhe së dyti protesta e mjekëve të Spitalit të Traumës.
E përbashkëta është se në të dyja këto ngjarje është paraja në mes. Në Lushnje, aferat e dyshuara korruptive bëheshin aq hapur dhe aq thellë, sa personat e përfshirë në këto afera nuk kanë kursyer as naftën e fermerit hallexhi, që përfundonte në serbatorët, siç thuhet, të djalit dhe miqve të Fatos Tushes, mes të cilëve përflitet edhe një gazetar.
Në këtë rast korrupsioni vret. Fermerit i rritet kostoja e prodhimit të domates nga mungesa e ujit nga kanali vaditës, që në letra u bë, por në realitet jo. I rritet kostoja edhe nga mosmarrja e naftës që Qeveria ia jep me ligj me gjysmë çmimi, por që zyrtarët e vegjël e hedhin nëpër serbatorët e makinave luksoze të miqve të tyre.
Këto dyja dhe të tjera arsye e shtyjnë fermerin që të gjejë forma të tjera për të nxjerrë me kosto sa më të ulët dhe sa më shpejt në treg produktin e tij për të kapur çmimin më të lartë, edhe duke përdorur masivisht pesticidet e ndaluara.
Në fund, produkti i ngarkuar me toksina nga pesticidet na vjen në tavolinat tona e na helmos organizmin dhe ashtu gradualisht pa e marrë vesh na çon drejt dyerve të spitaleve e në dorë të mjekut.
Këtu dolëm te lajmi i dytë. Nga Spitali i Traumës, mjekët protestojnë me kërkesën për lirimin e dy kolegëve të tyre të akuzuar për korrupsion. Protesta e ka shmangur fjalën korrupsion dhe përdor termin “bakshish”.
Shumë mund të kenë përvoja personale nga ky spital, kush pozitive e kush negative. Unë po rrëfej timen. Disa vite më parë, kur spitali mbante ende emrin “Spitali Ushtarak”, një i afërm aksidentohet dhe mbërrin pak para mesnate në këtë spital me fraktura të rënda në trup.
Kur shkova e gjeta duke pritur ende në radhë në korridoret e spitalit. Mjeku i parë që rastisi ishte vënë në dijeni për gjendjen e tij. Por, sërish ndonëse aksidenti kishte ndodhur rreth 6-7 orë më parë, ndonëse kishte humbur sasi të konsiderueshme gjaku, çka dallohej lehtësisht nga zbehja ekstreme që kishte marrë në portret, ndonëse kishte humbur ndjenjat prej disa orësh, i afërmi vazhdonte të priste në radhë, sepse sipas vlerësimit të mjekut të turnit, më urgjente ishte rasti i një qytetari tjetër, që sapo kishte thyer njërën këmbë dhe me një patericë ecte vetë.
Situata ndryshoi kur mjeku mori “bakshishin”. I afërmi u mor me shpejtësi u fut në sallën e operimit dhe falë Zotit, por edhe falë aftësisë e profesionalizmit po të atyre mjekëve, sot gëzon shëndet të plotë.
Për të dalë sërish te korrupsioni. Kolegët e mjekëve të arrestuar me këtë akuzë protestojnë duke kërkuar lirimin e tyre dhe korrupsionin e quajnë “bakshish”, madje ka nga ata që deklaruan në studio televizive se pa këtë bakshish në spitalet shqiptare nuk do të kishte mjekë për shkak të rrogave të ulëta.
Mjekët në Shqipëri mund të kenë rroga më të ulëta në krahasim me kolegët e tyre në vende të tjera, por Kuvendi bëhet sipas vendit dhe sipas vendit, niveli i rrogave të tyre është ku e ku më lart se rroga mesatare në Shqipëri.
Mjekët e arrestuar për korrupsion do të dalin para prokurorisë e gjykatës. Korrupsioni edhe te drejtësia është me nam dhe ishte një ndër arsyet kryesore se përse u ndërmor reforma. Por, po sikur edhe prokurorët e gjykatësit të dalin hapur dhe të deklarojnë se pa “bakshish asnjë prokuror e gjykatës në Shqipëri nuk do të qëndronte më në detyrë duke rrezikuar jetën e vet e të familjes së tij nga përballja me krimin çdo ditë”? Në këtë rast, përmes “bakshishit” të lënë do të fitohej liria.
Po sikur polici rrugor të mos merrte “bakshish”, a do të ishte ende gjallë sot familja me katër anëtarë që u shua në rrugën Fier-Vlorë? Po sikur ai zyrtari që ndan parcelat e plazheve të mos kishte marrë bakshish në ndarjen e tyre, a do të ishin ende gjallë sot katër viktimat e masakrës së Velipojës?
Këto janë pak pyetje me “po sikur” dhe me “po sikur” ta quajmë korrupsionin “bakshish”, “lobim” a çfarëdo emri tjetër, në thelb në disa sektorë ai mbetet po i njëjtë; një fenomen që vret. Mentor Kasa
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje