Politike

PD shtyn kryesinë, dy ditë para Kuvendit do merret me analizën, statutin dhe Këshillin e ri Kombëtar

Partia Demokratike shtyu zyrtarisht, atë që thuhej koridoreve të saj, analizën zgjedhore të 25 Prillit. Kryesia e Partisë Demokratike e parashikuar të mblidhej të shtunën në mbrëmje është shtyrë ditën e enjte të javës që vjen. Arsyeja lidhet me mosdepozitimin në kohë të analizës nga të gjitha degët e PD-së.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka njoftuar axhendën e mbledhjes së kryesisë për ditën e enjte.     

“Ditën e enjte, datë 15.07.2021, ora 18:00 do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë, me këtë rend dite:

 1. Shqyrtimi i përmbledhjes së analizës së masakrës zgjedhore të 25 Prillit, për fazën e parë të saj.

2. Shqyrtimi i ndryshimeve në Statutin e Partisë Demokratike që do ti propozohen për miratim Kuvendit Kombëtar të Partisë, në mbledhjen e tij të datës 17 Korrik 2021.

3. Miratimi i urdhrit për ngritjen e Komisioneve të Votimit dhe Numërimit për zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Kombëtar në mbledhjen e datës 17 Korrik 2021 të Kuvendit Kombëtar.

4. Njoftimi nga Kryetari i Partisë i listës që do të propozojë për votim për kandidatët për anëtar të Këshillit Kombëtar”, thuhet në njoftimin zyrtar të shpërndarë për anetarët e kryesisë së PD.

Ndërkohë, të mërkurën e javës që vjen do të zhvillohet edhe mbledhja e Komisionit të Përhershëm Statutor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë