Brazil-Argjentinë është akti i fundit i edicionit të 47-të të Kupës së Amerikës. Është sfida klasike mes dy kombëtareve më të mira të futbollit latin, është mbi të gjitha Mesi kundër Nejmar. Finalja e “Maracanà”, që luhet në orët e para të së dielës, kalon nga këmbët e tyre.
Argjentina synon të fitojë një trofe pas 28 vitesh “agjërim”, duke thyer edhe tabunë e 4 finaleve të humbura radhazi mes Kupës së Amerikës dhe Botërorit. Brazili në anën tjetër synon të konsolidojë supermacinë kontinentale të 10-vjeçarit të fundit.
Kjo finale është klasikja e 107-të mes dy superfuqive amerikanojugore, me një bilanc të lehtë në favor të Brazilit, (43 fitore ndaj 38 të Argjentinës), por është finalja e 5-të në histori mes tyre: e para është ajo e vitit 1937 (fitoi Argjentina), pastaj “tripleta” braziliane në 2004-ën, 2007-ën (në Kupën e Amerikës) dhe në 2005-ën (Kupa e Konfederatave). Triumfi i fundit argjentinas është ai i vitit 1993, ndërkohë që në këtë periudhë Brazili ka shtuar 5 kupa në palmaresin e tij.

Presidenti i Brazilit, Bolsonaro, është dukur shumë euforik para finales, duke deklaruar: “E di rezultatin, – tha ai gjatë një samiti të fundit. – Do të fitojmë ne 5-0”. Nuk është kaq i bindur trajneri Tite, që pavarësisht optimizmit, duhet të zgjidhë edhe dyshimet për formacionin. Dyshimi i parë është për krahun e majtë të mbrojtjes, ku Lodi është favorit ndaj Aleks Sandros, që nuk është rikuperuar plotësisht. Dyshimi tjetër ka të bëjë me sulmin, ku Everton është favorit.
Ka më shumë dyshime tek Argjentina, ku trajneri Skaloni ka balotazhe thuajse në çdo repart. Ai duhet të vendosë për krahët e mbrojtjes dhe rikthimin e mundshëm të Romeros, ndërsa në mesfushë është stafeta e zakonshme Rodriguez-Paredes. Për t’u zgjidhur është edhe lojtari i tretë i sulmit, përveç Mesit dhe Lautaro Martinezit. Di Maria duket favorit ndaj Gonzalez.
Brazili pritet të luajë me skemën 4-3-3: Ederson, Danilo, Markuinjos, Tiago Silva, Lodi, Kasemiro, Fred, Paqeta, Nejmar, Everton dhe Riçarlison. Argjentina mund të ketë vendosejn 4-2-3-1: Martinez, Montiel, Pecela, Otamendi, Tagliafiko, Paredes, Lo Selso, De Paul, Mesi, Di Maria dhe Lautaro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje