Ne rrjet

Varianti Delta përbën 1/3 e të infektuarve me Covid-19 në Itali

Ashtu si një pjesë e madhe e vendeve europian, Italia ka raportuar një rritje të rasteve të reja të konfirmuara të koronavirusit këtë javë, duke përmbysur kështu një trend 15-javor. Ndërsa autoritetet shëndetësore evropiane presin që ky variant  më infektiv të bëhet “dominues” në kontinent deri në fund të verës, për momentin në Itali vlerësohet se një e treta e rasteve janë me mutacion Delta.

Shkalla e rasteve të reja është në rritje në Itali për shkak të përhapjes së variantit Delta. Shkalla e incidencës së rasteve për 100,000 banorë është rritur nga 9 në 11.

Analiza e të dhënave nga agjencia italiane Gimbe tregoi se kjo ishte hera e parë që numri i rasteve të reja ishte rritur që kur filloi të binte në mars. Raporti konfirmoi se një numër në rritje i rasteve po i atribuoheshin variantit Delta në Itali.

“Pas 15 javësh radhazi, ka një rritje prej 15.5%  në rastet e reja krahasuar me javën e kaluar”, thotë mjeku italian Nino Cartabellotta.

Por ai theksoi se sasia e testimit të kryer ishte “shumë e ulët” dhe tha se gjurmimi i kontakteve në Itali ishte ende “i pamjaftueshëm”. Sipas tij, numri i  rasteve të reja është shumë më i lartë sesa ai që po raportohet.

Numri i njerëzve të shtruar në spital me Covid-19 dhe numri i vdekjeve vazhdon të bjerë në të gjithë vendin, konfirmoi raporti i fundit. Ndërsa numri i rasteve të reja ishte rritur në përgjithësi në Itali, ai ende po binte në dhjetë rajone, treguan të dhënat.

Numri i të infektuarve ishte rritur në rajonet e Abruzzo, Campania, Liguria, Lombardia, Marche, Sardenja, Sicili, Toskana, Veneto dhe provincat autonome të Trentos dhe Bolzanos. Shumë vende europiane kanë raportuar po ashtu një rritje të rasteve të reja të nxitura nga varianti Delta, i cili u zbulua për herë të parë në Indi.

Sidoqoftë, shkalla mesatare europiane e infeksionit aktualisht mbetet shumë më e ulët se ajo në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministri italian i shëndetësisë Roberto Speranza theksoi të shtunën se “pandemia nuk ka mbaruar” dhe i nxiti njerëzit të tregohen “shumë të matur dhe të kujdesshme, veçanërisht për shkak të varianteve”.

Ai tha se situata shëndetësore e Italisë ishte ” më e mirë se në muajt e mëparshëm, por se qytetarët duhet ta ruajnë vigjilencën”.

I pyetur nga gazetarët nëse Italia do të konsideronte uljen e mëtejshme të kufizimeve siç ka premtuar qeveria britanike që nga 19 korriku, Speranza u përgjigj: “Ne do të lirojmë masat hap pas hapi me shumë kujdes. Dhe për ne kjo strategji ka dhënë fryte”

Shumica e masave të koronavirusit në Itali janë relaksuar që nga 28 qershori, kur çdo rajon u shpall një zonë ‘e bardhë’ me rrezik të ulët.

Sidoqoftë, disa rregulla mbeten ende në fuqi, përfshirë ruajta e distancës shoqërore, si dhe disa kufizime për ndalimin e festave masive. Maskat duhet të mbahen ende në të gjitha vendet e mbyllura publike dhe në ambientet e jashtme të mbushura me njerëz.

Deri më tani, Italia ka vaksinuar plotësisht rreth 22 milion njerëz, ose 41 për qind e popullsisë së rritur por është ende larg imunitetit të tufës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë