Një personazh me një profil kompleks dhe misterioz. Organizatori i dyshuar i vrasjes së presidentit haitian Jovenel Moïse, është arrestuar.
Ai është Christian Emmanuel Sanon, një mjek 60-vjeçar që jeton në Florida. Shefi i policisë haitiane, Leon Charles, shpjegoi se si oficerët gjetën në shtëpinë e tij në Haiti, ndër të tjera, një kapelë me logon e “Drug Enforcement Administration”, 20 kuti fishekësh, armë dhe katër targa makinash.
Dyshohet se ai “hyri në Haiti muajin e kaluar me një aeroplan privat dhe kishte qëllime politike”. Sanon, i cili kishte jetuar në Florida për njëzet vjet, u shoqërua nga disa qytetarë kolumbianë të ngarkuar me sigurinë e tij, të rekrutuar nga një kompani venezueliane, CTU, me seli në Florida.
Charles shpjegoi se misioni fillestar i besuar komandos, ishte “të arrestonte Presidentin e Republikës” dhe jo ta vriste atë, siç ndodhi javën e kaluar. Sanon jeton në Florida, Qarkun Broward dhe Qarkun Hillsborough në Bregun e Gjirit.
Të dhënat tregojnë se ai ishte gjithashtu në Kansas City, Misuri. Ai bëri kërkesë për falimentim në vitin 2013. Në një video në YouTube, të titulluar “Lidershipi për Haitin” ai prezantohet si mjek.
Në video, ai denoncon udhëheqësit haitianë si të korruptuar, duke i akuzuar ata për heqjen e burimeve të vendit, duke përfshirë uraniumin dhe naftën.
Arrestimi i Sanon, vjen ndërsa një numër në rritje i politikanëve sfidojnë kryeministrin e përkohshëm Claude Joseph, aktualisht në drejtim të Haitit me ndihmën e policisë dhe ushtrisë.
Në një transmetim audio të shtunën, gruaja e Moïse, e plagosur në sulmin ndaj presidentit dhe që fluturoi për në Majemi për kurim, ku ajo aktualisht është e shtruar në spital pas operacionit, tregoi për sulmin.
“Sa hap e mbyll sytë, mercenarët hynë në shtëpinë time dhe sulmuan bashkëshortin tim me plumba”, – shpjegoi ajo.
“Ata duan të vrasin ëndrrën e presidentit”, – shtoi ajo, duke specifikuar se bashkëshorti i saj do të ishte vrarë për të shmangur një referendum mbi ndryshimet në Kushtetutë që do të zgjeronte kompetencat e tij dhe duke shpresuar se “gjaku i tij nuk do të rrjedhë kot”.
Moïse u vra më 7 korrik dhe 28 mercenarë të huaj, autorë të dyshuar, janë arrestuar deri më tani, ku pjesa më e madhe e tyre janë nga Kolumbia.
Përshtati: Gazeta: “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje