Atletja Luiza Gega dhe peshëngritësi Briken Calja, dy nga sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, kanë marrë sot flamurin nga kryeministri i vendit, Edi Rama. Gjatë ceremonisë së rastit me ekipin olimpik shqiptar, që përbëhet nga 9 sportistë, kryeministri Rama tha:
“Është një moment i veçantë për sportin, kur është viti i Olimpiadës. Patjetër është një emocion i veçantë për pjesëmarrësit, sepse siç ka thënë dhe krijuesi i Lojërave Olimpike, më e rëndësishme është të marrësh pjesë. Kemi qenë pranë Komitetit Olimpik dhe pranë sportistëve me aq sa kemi mundur. Është bërë i mundur një trajtim dinjitoz i të gjithë anëtarëve, edhe pse e mira nuk ka fund. Pjesëmarrja e Shqipërisë, shpresoj dhe rezultatet po ashtu, të jenë një arsye më shumë që me Japoninë të afrohemi edhe më shumë. Shumë suksese sportistëve”.

Shqipëria përfaqësohet me 9 sportistë në Tokio 2020 dhe ata konkurrojnë në 6 disiplina. Në atletikë përfaqësohemi me kampionët Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, në peshëngritje me dy sportistë shumë të mirë si Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, në not me Nikol Merizajn dhe Kledi Kadiun, në qitje me Manuela Delilajn, në gjimnastikë me Matvei Petrov dhe në xhudo me Indrit Çullhajn.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit të flamurit, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, u shpreh: “Asgjë nuk e ka ndaluar organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe. Në Olimpiadë shkojmë me më shumë sportistë se në Rio 2016. Jemi një ekip i vogël në numër, por vlerat që mbart janë të mëdha, kemi sportistë kampion Europe. Pritshmëritë tona në këtë Olimpiadë janë që Briken Calja të fitojë medalje olimpike pas 50 vjetësh”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje