Bota

Australia përplaset me BE për taksën e karbonit

Australia, një prej eksportuesve më të mëdhenj të hekurit, kromit, çimentos dhe karburanteve ka kritikuar ashpër planet e Bashkimit Europian për të vendosur një taksë kufitare për të gjitha importet e materialeve, që gjatë prodhimit të tyre emëtojnë sasi të mëdha karboni në atmosferë.

Plani u prezantua ditën e mërkurë nga ana e BE-së si pjesë e projektit më të madh në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Australia i cilëson këto plane si proteksioniste dhe që mund të thyejnë marrëveshjet tregtare. Ministri i Tregtisë, Dan Tehan tha se Austrlia do të mbikëqyrë me vëmendje se si do të vendosen këto masa dhe më pas të dalë me një vlerësim nëse ato shkelin marrëveshjet tregtare mes dy vendeve.

“Gjëja e fundit që ekonomia botërore ka nevojë tani janë politikat proteksioniste”, tha Tehan.

Vetëm 4 për qind e eksporteve të Australisë shkojnë direkt në tregjet e Bashkimit Europian, por vendosja e një takse të tillë do të shkaktonte një efekt zinxhir global dhe rritje të kostos së prodhimit të këtyre eksporteve.

Hekuri, kromi, gazi dhe nafta përbëjnë dy të tretat e eksporteve të Australisë.

Ministri Tehan akuzoi BE se në mënyrë krejtësisht të njëanshme po imponon këndvështrimet e saj mbi vendet e tjera dhe një taksë e tillë do të minojë bashkëpunimin global në reduktimin e emëtimit të karbonit në atmosferë.

“Kjo jo domosdoshmërisht do të arrijë objektivin që kërkohet dhe pikërisht për këtë ne do të diskutojmë edhe më tej me BE”, tha Tehan.

Australia është akuzuar nga vende të tjera dhe ambientalistët si shpërfillëse ndaj ngrohjes globale dhe vendi me më pak zbatimin e zotimeve për uljen e emëtimeve të karbonit në atmosferë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë