Kryeministri Edi Rama kërkoi bashkëpunimim e mjekëve dhe punonjësve të tjerë në sistemin shëndetësor që të parandalohet, ajo që ai e quajtu ‘përpjekje për të legalizuar korrupsionin’ në shëndetësi.
“Duhet të biem dakord së bashku dhe pa ekuivoke se këdo brenda sistemit të dënojmë atë që kërkon të legalizojë ryshfetin. Kjo nuk negociohet!”, tha Rama.
Kryeministri nuk përmendi ndonjë rast specifik, por së fundmi zhvilluan një protestë dyditore mjekët e Spitalit të Traumës që kërkonin lirimin e dy kolegëve të tyre të akuzuar për korrupsion. Në protestën e tyre, këta mjekë përdorën fjalën “bakshish”, ndërsa propozuan që në hyrje të çdo spitali të vendoset një kuti ku qytetarët të lënë “bakshishet”.
Rama e cilësoi këtë propozim si tronditës.
“Është vërtet mbresëlënës për nga niveli i kurajos dhe për nga paturpësia e propozimit. Të thuhet që ka ardhur koha të legalizojmë ryshfetin është vërtet një mesash kuptimplotë për domosdoshmërinë e lëvizjes antikorrupsion në të gjithë sistemin tonë shtetëror që ka filluar të ndihet edhe më thellë. Nuk mund të ketë barazi për të gjithë bluzat e bardha se ‘të gjithë janë njësoj’ dhe të gjithë fusin duart në xhepat e pacientëve. Kjo nuk është e vërtet”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se për këtë qëllim po ngrihet një rrjet antikorrupsioni, që sipas tij do të veprojë në të gjithë sistemin publik, jo vetëm te shëndetësia.
“Kjo është arsyeja që edhe në spitale do të shtrijmë deri në fund, si në të gjitha institucionet, rrjetin e individëve që do të jenë aty vetëm për këtë punë, për të ndarë dhe për të kontribuar në ndarjen e të njomit nga i thati. Lufta do të bëhet brenda. Vetëm kështu rriten të ardhurat, vlerësimi, dinjiteti dhe respekti”, tha ai.
Rama mori pjesë gjatë përurimit të nisjes së punimeve për Maternitetin e ri “Geraldinë”, që siç tha ai synohet që të jetë gati për 2 vjet. Kryeministri premtoi rritje rroge deri në 40 për qind për punonjësit e shëndetësisë dhe një skemë vlerësimi e shpërblimi sipas performancës për mjekët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje