Haka tek i zoti. Vllaznia ia ka dalë të bëjë mrekullinë, të fitojë në “Loro Boriçi” me rezultatin 3-0 dhe të kualifikohet për në turin e dytë të Ligës së Konferencës me rezultatin e përgjithshëm 4-3. Shkodranët kanë përmbysur humbjen 3-1 të ndeshjes së parë në Bosnjë, ku u penalizuar jo pak nga gjykimi problematik i një arbitri rus.
Por për pak sa festa nuk u kthye në një dramë në Shkodër, për shkak të tifozëve. Të etur për një Vllazni kompetitive, ata kaluan kufijtë e festës pas golit të parë, duke hedhur flakadanë dhe fishekzjarre në shkallët e stadiumit, çka bëri që arbitri Sjoberg ta ndërpriste ndeshjen për pak minuta. Ai e kaloi situatën me një paralajmërim, por edhe mund ta mbyllte në atë moment, çka do të ishte fatale për Vllazninë.
Për të kaluar te ndeshja, duhet theksuar se epërsia e Vllaznia u konkretizua në pjesën e dytë. Gjurgjeviç zhbllokoi shifrat sapo nisi kjo pjesë, pas një asisti të Gurishtës. Më pas dyfishoi Imami me një devijim brenda zonës. Çoba do të jepte një asist për Gjurgjeviç disa minuta më pas dhe ai nuk do të gabonte përballë portierit boshnjak, duke e çuar rezultatin në 3-0.
Ndërrimet e shumta te Shiroki Brijeg gjatë minutave të mbetura nuk sollën asnjë ndryshim në rezultat dhe në fund shpërthen festa në “Loro Boriçi” për kualifikimin e merituar.
Ndërprerja e ndeshjes
Menjëherë pas golit të avantazhit nga Vllaznia, ndeshja është ndërprerë për disa minuta, pasi tifozët shkodranë e kanë ekzagjeruar, duke festuar me fishkzjarre dhe flakadanë. Gjyqtari suedez, Sjoberg, ka kërkuar që dy skuadrat të futen në dhomat e zhveshjes, për t’u kthyer disa minuta më pas në fushë. Është një paralajmërim, nëse tifozët vazhdojnë me atë sjellje, ndeshja do të ndërpritet.

Kapiteni Erdenis Gurishta u kërkon tifozëve të qetësohen dhe të mbështesin skuadrën e jo ta dëmtojnë atë me sjellje të pahijshme. Të njëjtën gjë bën edhe Adili. Më pas gjithçka ka vazhduar normalisht, por me siguri klubi shkodran do të marrë gjobë nga UEFA për atë që ka ndodhur në ndeshjen e sotme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje