Politike

Lista e Këshillit Kombëtar e vakët, futet për herë të parë djali i Sokol Olldashit

Të enjten në mbrëmje kryesia e PD-së kaloi për votim në Kuvendin Kombëtar të së shtunës listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të ri Kombëtar të propozuar nga kryetari Lulim Basha.

Lista me 600 emra kandidatësh ka kaluar në bllok për tu miratuar më pas nga Kuvendi vetëm 300 të tillë.

Në listën e kandidatëve për Këshill Kombëtar përfshihen protagonistët e fundit përballë Bashës si Edith Harxhi (por jo Arben Imami apo Edvin Kulluri që nuk janë as në përbërjen aktuale), por edhe Bujar Nishani që përfiton në bazë të statutit si ish-President. Si i tillë është futur edhe Sali Berisha, ku në aneksin e kandidatëve që kooptohen automatikisht emri i tij është futur si ish-president, kryeministër apo kryetar partie  po jo si deputet aktual.

Ajo që vihet re në listën e propozuar është përfshirja për herë të parë e djalit të deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, Glaukut.

Në zgjedhjet e 2013-ës, Sokol Olldashi ishte kandidati i vetëm që garoi përballë Bashës për drejtimin e partisë. Olldashi asokohe foli për manipulime dhe marrëdhënia e tij me Bashën në parti kishte kohe që ishte ftohur.

Sot pas 8 vitesh, Basha ka përfshirë në listë djalin e tij, Glauk Olldashi, i cili nuk e ka fshehur ambicien për tu angazhuar politikisht në PD.

Basha ndërkohe ka mbajtur sërish në listë emrin e Kastriot Islamit i cili vijon të jetë anëtar i Këshillit Kombëtar. Sërish anëtarët e Kuvendit do të ketë emrin e tij në listë (të servirur nga kryetari) për ta votuar. Mbetet në listë gjithashtu Arben Ristani apo edhe ish-nënkryetari i FRD-së, Lisandër Hoxha. Në listë vijon si kandidat edhe Halim Kosova edhe pse pak ditë para zgjedhjeve ai mbajti një qëndrim të ashpër ndaj PD-së.

Ndërkohe Basha nuk ka bërë të njëjtën gjë për Ibsen Elezin kandidati që u përjashtua nga kryesia e PD-së për të garuar përballë Lulzim Bashës. Elezi nuk është as në listën aktuale të Këshillit Kombëtar

Lulzim Basha ka futur si emër të ri edhe regjizorin Osman Mula, ndërsa ka lënë sërish Edmond Budinën.

Pak a shumë në listën e kandidatëve për Këshill Kombëtar nuk vëren ndonjë tipar të veçantë. Emrat janë kryesisht ripërsëritje e njerëzve disa prej të cilëve kanë mbi 20 vjet që e kanë emrin por nuk kanë më asnjë kontribut direkt apo real në parti.

Më tepër një liste qokash ku duhet të futen apriori disa emra për të luajtur balancat, por edhe kandidatë që ishin në garën për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare që nuk u futen në listën fituese.

A mund të quhet kjo një listë përbashkuese apo hapje? Duke parë listën e kandidatëve nuk të vjen në mendje diçka e tillë.  /   N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë