Si kurrë më parë, në turin e dytë eliminator të një kompeticioni europian për klube, në Ligën e Konferencës, do të marrin pjesë 8 skuadra shqiptare. Konkretisht, janë 4 skuadra nga kampionati ynë, Partizani, Vllaznia, Teuta dhe Laçi, 2 skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Shkëndija e Tetovës dhe Shkupi, si dhe 2 skuadra kosovare, Prishtina dhe Drita.
Paraqitjen më të mirë e kanë bërë 5 skuadrat që kanë marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës, Partizani, Vllaznia, Laçi, Drita dhe Shkupi. Të gjitha këto skuadra kanë treguar vlera, por veçanërisht Vllaznia dhe Laçi, që janë kualifikuar me përmbysje të enjten në mbrëmje.

Tri skuadrave të tjera shqiptare, Teutës, Shkëndijës së Tetovës dhe Prishtinës, u ka ardhur në ndihmë formula e kompeticioneve europiane, që në rast eliminimi i lejon të kalojnë nga Liga e Kampionëve në Ligën e Konferencës. Dhe në fakt që të tria këto skuadra kanë zhgënjyer në Champions, duke i humbur të dyja ndeshjet. Tani shpresohet që në Ligën e Konferencës, ku kundërshtarët janë më modestë, të tregojnë tjetër nivel.
Pjesa më e madhe e 8 skuadrave shqiptare në turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës kanë shanse kualifikimi, sepse ndeshen me kundërshtarë të kalueshëm. Më të vështirë e kanë Partizani, Drita dhe Shkupi, që ndeshen përkatësisht me Bazelin, Fejnordin dhe Santa Klarën. Vllaznia ndeshet me kundërshtar qipriot, Teuta me kundërshtar nga Andorra dhe Laçi me kundërshtar nga Rumani. Gjasat janë të mëdha që edhe në turin e tretë të kemi sërish skuadra shqiptare.
Ndeshjet e skuadrave shqiptare në turin e dytë të Ligës së Konferencës
Partizani-Bazel (Zvicër)
Vllaznia-AEL Limasol (Qipro)
Laçi-Universitatea Kraiovë (Rumani)
Teuta-Inter Eskalades (Andorra)
Shkëndija e Tetovës-Riga (Letoni)
Prishtina-Konahs (Uells)
Shkupi-Santa Klara (Portugali)
Drita-Fejnord (Holandë)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje