Ka ndodhur

Kokaina mes bananeve në Durrës, dosja i kalon SPAK-ut për hetim

Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencë për dosjen hetimore të kokainës që u kap në Portin e Durrësit disa ditë më parë.

Dosja për sasinë prej 11.6 kg kokainë, e cila sekuestrua në një kontejner me banane në Portin e Durrësit, i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Më herët, Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Bajron Gumenin, i cili është administrator i kompanisë “Alba Exotic Fruit”, në kontejnerin ku u ka lënda narkotike.

Ai u arrestua dy ditë më parë në Portin e Durrësit, ndërsa është shprehur se nuk ka pasur lidhje me drogën e kapur dhe se kompania e tij ka porositur vetëm banane. Në lidhje me sasinë e kapur të lëndës narkotike, është arrestuar edhe një  punonjës, Jurgen Osmani.

Ngarkesa ishte nisur më 8 korrik nga Porti i Pireut dhe ka mbërritur në Portin e Durrësit më 11 korrik, ndërsa ngarkesa vinte nga Ekuadori.

Kompania “Alba Exotic Fruit”, rezulton e përmendur edhe më parë në lidhje me trafikun e drogës, ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë, u gjetën 137 kg kokainë, e cila u zëvendësua me oriz nga autoritetet.

Për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e kësaj kompanie, u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë