Ne rrjet

Pushteti i krimit të organizuar, pas vrasjes së gazetarit investigativ në Holandë

Gazetari i njohur investigativ Peter R.de Vries, ndërroi jetë të enjten në një spital të Amsterdamit. Ai ishte 64 vjeç dhe më 6 korrik ishte viktimë e një sulmi me armë zjarri, ku mori pesë plumba në trup dhe kokë sapo kishte dalë nga një studio televizive për të folur për krimin e organizuar.

De Vries kishte kohë që denonconte dhe publikonte fakte të shumta mbi pushtetin e krimit të krimit të organizuar në Vendet e Ulëta. Duket e pabesueshme për gazetarët që bëjnë punën e tyre, duke rrezikuar jetën në Evropën e civilizuar.

“Jam i lumtur që nuk jam më reporter i gjykatës. Të gjithë kanë frikë”, – tha Bert Huisjes, drejtori i transmetuesit publik WNL, për të përjavshmen gjermane “Der Spiegel”.

“Dritaret në shtëpinë time janë me xhama antiplumb, të paguara nga drejtuesit e gazetës ku punoja. Por sot, pothuajse asnjë media nuk mund ta përballojë këtë kosto”, – shton ai.

Dëshmi të ngjashme u mblodhën gjithashtu nga gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Sulmi ndaj De Vries, i njohur mirë në Holandë, është kulmi i një përshkallëzimi që po zhvillohet prej disa kohësh.

Në vitin 2016, u vra Martin Kok, një ish-kriminel dhe bloger që shkruante për mafien. Në qershor 2018, dikush dërgoi një furgon, duke u përplasur përpara redaksisë së gazetës “Telegraaf” dhe më pas i vuri flakën.

Selia e revistës “Panorama” u godit nga një raketë anti-tank. Gjithashtu në vitin 2018, vëllai i një të penduari, Nabil Bakkali, u vra dhe një vit më pas edhe avokati i tij.

De Vries ishte vetë këshilltari i Bakkalit, i cili është dëshmitari kryesor në gjyqin kundër trafikantit të drogës me origjinë marokene, Ridouan Taghi.

Bakkali ishte një njeri i tij, i ngarkuar me prokurimin e makinave për mbretin e kokainës. Pas një përpjekjeje për vrasje që shkoi keq, thotë “Spiegel”, ai filloi të frikësohej për jetën e tij dhe vendosi të bashkëpunonte me policinë.

Taghi, i cili ka qenë në burg që nga viti 2019 dhe u konsiderua më parë ‘armiku numër një publik’ i Holandës për vite me radhë, akuzohet nga hetuesit për drejtimin e organizatës së tij kriminale, kryesisht kushtuar trafikut të drogës, si një makinë vrasëse dhe dyshohet se ka urdhëruar të “ndëshkojë” Bakkalin dhe këdo që e ka ndihmuar. Sulmet ndaj Kok, “Telegraaf” dhe “Panorama”-s, mund të lidhen gjithashtu me Taghin.

Një mënyrë për të përsëritur se biznesi i tij nuk duhet të shqetësohet dhe se ai është i paprekshëm. Ndërkohë, avokatët e tij mohojnë çdo akuza apo dyshim.

Jemi mësuar të mendojmë se vrasjet e gazetarëve investigativë janë çështje të vendeve të treta dhe jo-demokratike. Vrasja e gazetares nga Malta, Daphne Caruana Galizia në vitin 2017 dhe ajo e gazetarit sllovak, Jan Kuciak në 2018-ën, kanë treguar se nuk është kështu.

Tani është radha e Holandës, një prej vendeve më të hapura dhe më të përparuara jo vetëm në Evropë, por në botë. Rasti i De Vries, zbulon se edhe atje krimi i organizuar vepron me dhunë tronditëse dhe ndjenjën e mosndëshkimit, sepse ka gjithnjë e më shumë fuqi.

“Portet e Roterdamit në Holandë dhe Antverpit në Belgjikë, janë bërë pika të mëdha transferimi për lëndët narkotike. Nga atje shpërndahet e gjithë droga në çdo cep të Evropës. Raporti, i publikuar në  Amsterdam, thotë se krimi dhe droga po ndikon në të gjithë qytetin. Paratë pastrohen në restorante dhe dyqane dhe të ardhurat investohen në pasuri të paluajtshme”, shkruan gazeta gjermane “Der Spiegel”.

“Tani kemi karakteristikat e një narko-shteti. Ekonomia jonë varet gjithnjë e më shumë nga paratë e njerëzve të këqij”, – thotë kreu i Unionit Policor Holandez, Jan Struijs.

Problemi është nënvlerësuar prej kohësh. Por a mundet që ështja “De Vries”, me vizionin e saj, t’i ndryshojë gjërat në të ardhmen?

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë