Futboll

Vlasiç do vetëm Milanin, në skenë del edhe Koutinjo për rolin e trekuartistit

Pas afrimit të Olivier Zhiru dhe zyrtarizimit të Brahim Diaz, Milani është në kërkim të një trekuartisti, të pasardhësit të Çalhanoglu. Një nga emrat më të nxehtë mbetet ai i Nikola Vlasiç, protagonist në Europianin e fundit me Kroacinë. Lojtari i CSKA-së Moskës ia ka bërë të qartë klubit rus së dëshiron të transferohet në Itali dhe po këmbëngul për t’u veshur kuqezi.

Milani ka bërë ofertën e parë për CSKA-në: 5 milionë euro për huazimin, me të drejtën e blerjes për shifrën e 20 milionëve, plus bonuset. Rusët nuk lëshojnë pe dhe kërkojnë 30 milionë, si dhe që e drejta e blerjes të jetë e dtyrueshme. Siç ndodh rëndom, divergjencat mes klubeve kanë të bëjnë më shumë me formulën e transferimit dhe ka disa sinjale në favor të Milanit.

Felipe Koutinjo. Gazeta Si, 19 korrik 2021

Vlasiç nuk luajti asnjë minutë në miqësoren e fundit para nisjes së sezonit. I pyetur nga gazetarët në lidhje me të ardhmen e tij, kroati është përgjigjur me një “nuk e di”. Kjo pistë mbetet gjithsesi e komplikuar, ndaj Maldini dhe Masara po shohin edhe lojtarë të tjerë. Nga Spanja bëhet me dije se një alternativë për Milanin është Koutinjo, i cili mund të hyjë në tratativat për një shkëmbim të mundshëm me Romanjolin, në shënjestrën e Barcelonës prej kohësh.

Sipas “Sport”, Koutinjo do të largohet nga Barcelona dhe Milani është një mundësi reale, sepse katalanasve u intereson Romanjoli. Mbrojtësi italian vaujti sezonin e fundit për të gjetur hapësira dhe te Barcelona mund të shkonte me kënaqësinë më të madhe. Klubi spanjoll duhet të sistemojë dy mbrojtësit Umtiti dhe Lenglet, jashtë planeve të Koeman, kështu do të lirohej vendi për Romanjolin dhe Milani mund të merrte Koutinjon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë