Toyota nuk do t’i transmetojë videot promocionale gjatë Olimpiadës së Tokios, që nis të premten, më 23 korrik. Vendimi është zyrtarizuar nga kompania e famshme japoneze dhe lidhet me faktin se nuk e gjen veten në rrethanat, në të cilat po zhvillohen këto Lojëra. Në ceremoninë e hapjes ishte parashikuar prania e Akio Toyoda, presidentit të Toyota-s, por është anuluar.
Lajmi i tërheqjes së spoteve është dhënë nga shefi i komunikimit të kompanisë së njohur të makinave, Jun Nagata. Ai ka shpjeguar se ishin bërë gati disa video me mesazhe të ndryshme, me protagonistë sportistë të njohur. Pjesëmarrja e Toyota-s kishte si qëllim të nxiste vlerat humane të Olimpiadës, vlerat më të mira të sportit që tentojnë ta çojnë deri në ekstrem kompeticionin, por gjithmonë sipas disa rregullave të qarta. Por tani, “qëllimi ka marrë një domethënie tjetër”.
Nagata ka pohuar se Toyota gjithsesi do të vazhdojë t’i mbështetë sportistët në Lojëra dhe do të ofrojë makinat e saj ekologjike gjatë kompeticionit. Vendimi i Toyota-s ka bërë të reflektojnë edhe kompanitë e tjera të mëdha që sponsorizojnë Lojërat, sepse është një moment ku opinioni publik është kryesisht kundër zhvillimit të këtij eventi sportiv.
Sipas një sondazhi të “Jnn”, në fillim të korrikut 35% e të intervistuarve ishte në favor të një Olimpiade pa publik, 26% ishte pro pranisë së një numri të reduktuar spektatorësh, ndërsa 34% kërkonte anulimin e Lojërave. Përveç Toyota-s, edhe kompani të tjera kanë dyshime në lidhje me mënyrën e zhvillimit të Olimpiadës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje